Kërcënuan kryetarin e Kamenicës, dy të akuzuarit kërkojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

Të akuzuarit për veprën penale “kanosja”, Ibrahim dhe Arben Morina, janë shprehur të gatshëm të hyjnë në marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan, për pranimin e fajësisë.

Ata akuzohen se në qershor të këtij viti, derisa kryetari i Kamenicës, shkon në oborrin e shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Hodonovc të Kamenicës, për të mbajtur takim me qytetarë lidhur me reformat në arsim, të akuzuarit i drejtohen me fjalë kërcënuese atij, duke i shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.

Një propozim të tillë, të akuzuarit Morina e kanë bërë të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Këtë propozim të akuzuarve nuk e ka kundërshtuar prokurorja Bahtie Ademi, ndërkaq i dëmtuari Qëndron Kastrati ka thënë se nuk i bashkangjitet ndjekjes penale dhe nuk kërkon kompensim materialo-juridik.

“Jo më vonë nuk kam qenë i rrezikuar, ka qenë një kontakt i rastësishëm edhe në kontaktet që i kemi pas sipas detyrës, sjellja e tyre ka qenë korrekte dhe nuk kemi pas ndonjë problem tjetër”, ka thënë Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Sadri Krasniqi, ka marr aktvendim me të cilin është aprovuar propozimi për shtyrje të seancës, për tu dhënë kohë palëve në procedurë për të negociuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Morina.

“Nëse brenda afatit ligjor nuk arrihet marrëveshja në procedurë, gjykata do të caktojë shqyrtimin kryesor, ku palët do të ftohen me ftesa të rregullta gjyqësore”, ka thënë gjykatësi Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 24 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Ibrahim dhe Arben Morina, duke i ngarkuar ata me veprën penale “kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ibrahim Morina, më 12 qershor 2019, rreth orës 19:00, në Hodonovc të Kamenicës, me qëllim frikësimi me gjeste dhe fjalë seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin Qëndron Kastrati.

Bazuar në aktakuzë, derisa i dëmtuari shkon në oborrin e shkollës fillore “Xhavit Ahmeti”, për të mbajtur takim me qytetarë, lidhur me reformat në arsim, në hyrje të oborrit i akuzuari fillimisht me lëvizjet e tij tenton ta sulmojë atë, por që pengohet nga qytetarët, e më pas i drejtohet me fjalë “pasi që nuk i kam armët me veti, por i kam te shtëpia”, me ç’rast me veprimet dhe fjalitë e të akuzuarit, tek i dëmtuari Kastrati shkaktojnë ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë të saj, i akuzuari Arben Morina me qëllim frikësimi, me gjeste dhe fjalë seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin Qëndron Kastrati.

Gjithnjë sipas prokurorisë, derisa i dëmtuari ishte duke mbajtur takim me qytetarët lidhur me reformat në arsim, i akuzuari i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “jam i gatshëm edhe 50 vjet burg për këtë punë”, e më pas nxitë nxënësit për ta penguar tubimin, ashtu që nga veprimet e të akuzuarit tek i dëmtuari shkakton ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.