Moderatorja

Kërcënohet me jetë prezantuesja e RTK-së, policia interviston Shefqet Kabashin

Prezantuesja e lajmeve në televizionin publik, RTK, Alketa Gashi Fazliu, është kërcënuar me jetë ditën kur moderoi ceremoninë e 20-vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës. Kur moderatorja po kryente punën e saj, para të pranishmëve doli ish ushtari i UÇK-së në zonën e Dukagjinit, Shefqet Kabashi. Ai ndërhyri për të lëshuar kritika ndaj zyrtarëve të PDK-së që ishin pjesë e ceremonisë, situata përfundoi e qetë. Por, disa orë më vonë në e-mailin zyrtar të programit “Mirëmëngjesi Kosovë”, erdhi një audio-incizim ku një person që shpërndanë deklaratat e Kabashit në Facebook, E.B, kërcënon seriozisht Aleketa Gashi-Fazliun. E kontaktuar nga Gazeta Express, moderatorja rrëfen ngjarjen.

Më 22 Maj kur u mbajt ceremonia e 20 vjetorit të masakrës së Dubravës, derisa, Alketa Gashi Fazliu po fliste, vëmendjen e mori Shefqet Kabashi, moderatorja po mundohej ta mbante nën kontroll situatën. Për aq sa zgjatë kjo skenë, ndërmjet tyre nuk pati shkëmbim direkt të fjalëve. Ish-ushtari i UÇK-së, iu drejtua disa të mbijetuarve të masakrës së Dubravës, duke i përmendur edhe me emra madje si Hajredin Kuçin dhe Nait Hasanin, të cilët, i quajti tradhëtar. Më pas ceremonia vazhdoi e qetë, por po atë natë Aleketa Gashi Fazliu mori kërcënim me audio-incizim, në imellin zyrtar të punës. Këtë rast, prezantuesja thotë se e ka denoncuar në polici, e cilëson si kërcënim serioz, ku i është përmendur familja dhe fjalë fyese. Incizimi zgjatë rreth tre minuta.

Në një bisedë për Gazetën Express, prezantuesja thotë se nuk ka asnjë problem me Shefqet Kabashin. Ky i fundit thotë se për këtë rast është intervistuar nga policia.

“E.B më ka kërcënuar direkt në programin e mëngjesit kam dhënë deklaratë në polici. Kërcëni ka ardhë me audio incizim, e ka përcjell në imellin e programit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në redaksinë ku punoj, nuk e di a është i rrethit të Shefqetit”, thotë Gashi-Fazliu.

Ajo thotë se nuk ka asnjë problem me Shefqet Kabashin.

“Me Shefqetin nuk kam asnjë telash asnjë problem edhe pse me ka pengu ne detyrë ai i ka pas problemet e veta, nuk e kam asnjë problem me të. Shefqeti ka pas plan që e ka realiu, e thirrur nga kuvendi me moderu atë ceremoni.Nuk e kam fy e as lëndu për asnjë sekond askënd. Ai i ka pas planin e vetë që e ka rezliau, unë e kam kry punën punën time. Thjesht kam qëllu askdientalisht moderatore në atë ceremoni”, sqaron Gashi-Fazliu për Gazetën Express.

Ajo zbulon edhe pak nga kërcënimi që thotë se ia bëri E.B (gazeta e di indentitetin e tij).

“Nuk kam ngrit padi ndaj Shefqet Kabashit, s’kam pas arsye për një gjë të tillë. Kam ngrit padi ndaj një kërcënuesi serioz, i cili thotë se kam me ta myt familjen, kam met masakru. Tre minuta është incizimi, thotë se në momentin që do të vijë në Kosovë do të më mbys do të më asgjësoj”, rrëfen moderatorja për Gazetën Express.

Gazeta Express ka kontaktuar me Shefqet Kabashin, megjithëse ai thotë se moderatorja ka ngritur padi ndaj tij, (Alketa këtë e sqaroi se nuk ka ngritur padi ndaj tij por ndaj E.B). Kabashi po ashtu thekson se nuk ka asnjë problem me moderatoren madje në një moment shprehet “ e respektoj si motrën time”.

Për këtë rast, Kabashi tha se policët hetues e kanë marrë në pyetje.

“Nuk janë të vërteta fjalët që i thanë se e kam ofendu e fy, e kam respektu si motër”, tha Kabashi për Gazetën Express.

Për kërcënimin që iu bë moderatores, policia nuk ka qenë e gatshme të flas ditën e dielë.

Sidoqoftë, ngjarja që ndodhi në Dubravë mori vëmendje të madhe në publik. Aty Shefqet Kabashi dha një varg kritikash për disa zyrtarë të PDK-së, i quajti tradhtar dhe u tha “marre duhet me ju ardhë”.

Po atë ditë policia njoftoi se Shefqet Kabashi u arrestua për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në këtë ceremoni. I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Shefqet Kabashi u dërgua në mbajtje për 48 orë, më pas u lirua.

Shefqet Kabashi është njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, jeton dhe vepron në Amerikë.

Alketa Gashi – Fazliu është gruaja e Faik Fazliut, ish-përfaqësues i veteranëve në Zyrën e Kryeministrit.