LAJMI I FUNDIT

Kërcënohet me jetë gazetari pasi realizoi hulumtim për dallaveret me IPTV

Redaksia e emisionit KIKS Kosova në Klan Kosova, e ka njoftuar AGK-në, për kërcënimin që i është bërë gazetarit, Herolind Ademi, për shkak të hulumtimit që është duke realizuar për piraterinë e IPTV.

Qytetari B.B, i ka dërguar disa mesazhe telefonike, Ademit duke e kërcënuar me jetë për shkak të përgatitjes së raportit, ku ai është një nga subjektet.

Një pjesë e mesazhit shqetësues është:

“Haver, vec mbyllunse sakt ta kam adresen pot tregoj veq mbyllun dhe kos dil. Vec pot kallxoj terheku prej meje e mos munperzij se nuk han ma buk. Fol me kon dush pot kallxoj mos mu perzij ne pun te mija qe din me jetu edhe naj dit qikaq di met than pik”.

AGK-ja, shpreh shqetësim të thellë dhe e konsideron si të papranueshëm dhe shumë të rrezikshëm mesazhin e këtij individi ndaj gazetarit.

Redaksia e ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës, dhe AGK-ja, e fton Policinë që me urgjencë ta trajtojë rastin dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet për t’i ofruar sigurinë e nevojshme gazetarit.

Gjithashtu, organet e drejtësisë duhet ta bëjnë punën e tyre pas këtij kërcënimi, në mënyrë që puna e gazetarit dhe e redaksisë të vazhdojë në mënyrë të papenguar.

Kërcënohet me jetë gazetari i KIKS-it që zbuloi mashtruesit me IPTV

“Mos m’u përzij në punë të mija, që don me jetu edhe naj ditë”.

Ky është kërcënimi që Bujar Behrami ia bëri gazetarit të emisionit Kiks Kosova, Herolind Ademi.

Behrami u revoltua pasi u zbulua nga Kiksi se ai po i mashtronte klientët, duke iu shitur atyre në mënyrë ilegale kanalet kabllore të operatorëve vendorë, të cilët shpenzojnë miliona euro për të prodhuar atë përmbajtje.

Ai vazhdoi kërcënimet ndaj gazetarit, pasi kuptoi se është objekt i hulumtimit dhe ka rënë nën llupën e gazetarëve.

“Veç po të kallëzoj, tërheku prej meje, mos m’u përzij se nuk han mo bukë. Kjo është e fundit se t’kom lokalizu, e di saktë lokacionin tuaj.”

Kaq i revoltuar Behrami nuk ishte kur bënte pazar me gazetarin për t’ia shitur ofertat e platformave “Smart Buki” dhe “Tija”, të cilat shesin përmbajtje të vjedhura, duke fituar miliona euro në kurriz të të tjerëve.

Ai nuk ofronte asnjë kontratë ose kupon fiskal për ofertat që shiste, duke e pranuar edhe vetë se me këtë veprimtari, është duke e shkelur ligjin.

“Unë nuk thash është legale, është ilegale…”, ka thënë ndër të tjera Behrami.

Kërcënimet Behrami i vazhdoi edhe më tutje në telefonin personal të gazetarit dhe në telefonin e recepsionit të Klan Kosovës.

Të gjitha kërcënimet, Kiksi i ka denoncuar në Policinë e Kosovës, e cila ka hapur rast dhe ka nisur hetimet ndaj Behramit.