Kërcënohet me vrasje për herë të dytë prokurori Rasim Maloku

Prokurori Rasim Maloku, për herë të dytë brenda dy javëve është kërcënuar me vrasje ai dhe familja e tij. 

Maloku është kërcënuar nga një numër telefoni nga Maqedoni dhe se kërcënuesi i ka kërkuar që të lirohet ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, në të kundërtën do të ketë rrezik për jetën e tij dhe të familjes. Maloku është duke e hetuar Xhabir Zharkun dhe ndërtimet pa leje në Brezovicë.

Lidhur me këtë kërcënim ka reaguar edhe zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, është njoftuar se prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nëpërmjet një mesazhi telefonik ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij”.

Sipas Prokurorisë këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Maloku, vijnë si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se kërcënimet ndaj prokurorit Maloku, janë duke u trajtuar seriozisht nga organet kompetente dhe me nivelin e duhur të urgjencës, në mënyrë që kërcënuesit të dalin sa më parë para drejtësisë”, thuhet në reagim.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndron fuqishëm afër prokurorit Maloku, duke ia ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tij, në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet më tej në reagim.