Këngët e Arlind Gjikollit – Gjiklës që do të mbahen mend gjithmonë

Mbrëmjen e së hënës (5 dhjetor) është ndarë nga jeta drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti, Arlind Gjikolli – Gjikla.

Ai ndërroi jetë në moshën 41-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Gjikla, siç e njihnin të gjithë, ka qenë themeluesi i grupit “W.N.C” nga Peja apo “W-hite N-iggaz C-lan” (Klani i zezakëve t’bardhë).

Arlind Gjikolli – Gjikla

Labeli, i cili u krijua në vitin 1996, u bë më i famshëm për audiencën shqiptare kur në treg doli CD-ja e tyre e parë “Pse”.

Projektet në këtë album janë mjaft interesante, duke gërshetuar në vete një rrymë të muzikës që shumë pak ka qenë e pranishme asokohe në treg.

“W.N.C” përveç Arlindit, ishte i përbërë nga Besnik Belegu, Faton Hajredinaj dhe Dardan Belegu, që lirshëm mund të thuhet se kanë qenë një nga rap-grupet e para shqiptare.

Në vitin 2000, ata publikuan albumin “Pse”.

Në 2002, të njëjtit sollën një tjetër album të ri të quajtur “Maximum”.

Në qershor të vitit 2003, “W.N.C” marrin pjesë në VFM 2003 me këngën “Qikat E Mira”.

Në nëntor 2005, WNC marrin pjesë në “Kënga Magjike” me këngën “Te Qilla”.

Njëra nga këngët më të suksesshme të tyre mbetet bashkëpunimi me Rebel a.k.a Unikkatil, “Shuj”.

Më poshtë ua sjellim disa nga hitet e grupit “W.N.C”:
WNC – Për ty
WNC – Ça kum pas
WNC – Mit i vërtetë
WNC – 500’shat
WNC – Joint the Basket
WNC – Pse
WNC – Gabimi
WNC – Rap Rugova
WNC – Dora
WNC – Am Am
WNC – Ondra e Verës
WNC – Kush je more ti ej
WNC – Qikat e Mira
WNC – Kristal e bardhë
WNC – Ku shkon ti

Me një mori këngësh të suksesshme që sollën ndër vitesh, Gjikla pas grupit “W.N.C” ka vazhduar edhe solo-karrierën.

E një prej projekteve që nuk duhet lënë pa përmendur është edhe “Juda”, me anë të të cilës e kishte ‘goditur’ politikën.

Krahas karrierës së bujshme në muzikë, Gjikla në dhjetë vitet e fundit ishte “COO” (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit.

Për vdekjen e Arlindit pati reagime të shumta nga liderë politikë, personazhe të showbizit e kulturës, disa prej të cilëve e falënderuan për këshillat dhe mësimet që kishte ndarë me ta.

Mes shumë veprave e gjërave të bukura që la pas, Gjikolli do të jetë i pashmangshëm në rrethin e të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të.