“Këngën e kam pasion, kurse poezinë ndjesi shpirtërore”

Bisedë me Dëshira Haxhi, këngëtare dhe shkrimtare nga Athina

Në botën e artit dhe të muzikës, kohëve të fundit, po vjen një zë atraktiv dhe një penë e përsosur, e kapshme për lexuesit dhe dëgjuesit, gjithandej trojeve shqiptare. Ajo është Dëshira Haxhi, këngëtarja simpatike dhe poetja brilante nga Gjirokastra, vendlindja e kolosit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Lugina e Preshevës, një krahinë e mrekullueshme shqiptare në lindje të Kosovës dhe në jug të Serbisë, përmes Portalit Informativ Jetapress, do të mësoj më shumë për një këngëtare dhe poete të pasionuar, Dëshira Haxhi, e lindur dhe e rritur në në Zhulat të Gjirokastrës, para 43 vjetësh, e që nga vitit 1997, jeton larg vendlindjes, në Athinë.

Dëshira Haxhin, një këngëtare brilante e përmendur për bukuri dhe elegancë, na bie shpesh ta dëgjojmë, me këngët e saj plot frymëzim, emocione dhe nostalgji, ashtu sikur “zogu kur lë folenë” e fluturon lartësive, pa harruan çerdhen e vet të dikurshme.

Po, Dëshira Haxhi, ka edhe një pasion tjetër veç këngës së pastër shqipe, ajo është e pasionuar shumë pas poezisë, mbretëreshës së arteve. Ajo, tashmë ka publikuar disa vëllime me poezi: , “Dashuri ëngjëllore”, “Protuberanzat e shpirtit”, “Pesë degë trungun thërrasin”, “Një shekull dritë“ dhe vëllimi i fundit poetik “Në fund të fundit”.

Kritika letrare dhe lexuesit e kanë vlerësuar lartë artin krijues të Dëshirës, e cila me mjeshtri ka arritur me penën e saj të krijoj “një urë lidhëse artistiko-estetike, që lidh lexuesin me atë që ai kërkon të thotë. Në rastin konkret, poetja Dëshira Haxhi, si urën më të bukur, më shprehëse dhe më artistike, zgjedh atë të ndjenjës”.

Poezitë e shkruara të Dëshirës, janë të tematikave të ndryshme, të shprehura me ndjenja të thella shpirtërore. Ato për motiv kanë Atdhedashurinë, mërgimin, dashurinë etj. Po, këto ndjenja të ndezura të shpirtit të saj të madh, vërehen dhe shijohen edhe te këngët, të cilat ajo i këndon më dashuri dhe ndjesi.

Dëshira Haxhi e urren injorancën, përbuzjen dhe nënçmimin. Ajo i vlerëson lart mendjet e urta dhe kulturën e dëgjimit, të cilën e vlerëon madhështore. Me bindje të thellë, madje ajo thotë për muzikën se “e do dhe e ka shpirt në të tëra dimensionet”, duke qenë modeste edhe në vlerësimet e të tjerëve se si e shohin e ndjejnë dhe e përshkruajnë Dëshirën e tyre.

Ndonëse Dëshirës, i pëlqen heshja, duke u nisur nga urtia popullore “Heshtja është ari”, ajo nuk mund të fshihet publikisht nga lexuesit dhe telespektatorët, të cilët e kërkojnë me dashuri të madhe qoftë përmes këngës, qoftë përmes poezisë, të cilën ajo e ka për zemër.

Meqenëse, Dëshira, nuk është si disa të tjera të reklamohet nëpër media, ajo rrallë shprehet për publik, sikur ka një rezervë, për shkak modestisë së saj.

Çfarë dëshiron Dëshira për veten? Asgjë më shumë, përpos qetësisë. Shpirtit të saj poetik nuk i bën përshtypje jeta luksore, rrobat e bukura, të cilat sipas saj, nuk janë ato që i sjellin pika lumturie.

“Jam një njeri që lumturohem me pak. Vetëm dua të kem pranë njerzit që dua, e të shikoj në sytë e tyre buzëqeshjen.. E dua një kafe në mëngjes, një romance për të lexuar, një shëtitje buzë detit… Gjithçka që më duhet është dashuria dhe vlerësimi i njerëzve që janë në zemrën time. Madhështia s’është për mua…dashuroj thjeshtësinë, dhe jetoj me emocione!”, shprehet me bindje të thellë dhe me plot modesti Dëshira për Portalin Jetapress.

Pra, ky është stili i jetës së Dëshirës. Mbi të gjitha, Ajo, është vetvetja. Gjatë komunikimit shprehet shkurt e qartë! Duke shëtitur në magjinë e të lexuarit, ajo udhëton në botën reale dhe surreale. Po, në fakt, kush është Dëshira? – Një vajzë fshati nga zonat malore, që natyra e mrekullueshme shqiptare ia fali shikimin e shqiponjës.

“Përkushtimi dhe dashuria, nuk e kanë lënduar kurrë askënd”, thotë Dëshira, e cila të jep mundësinë të shprehet në të gjitha dimensionet, ndonëse e kupton se njërëzit paksa janë tjetërsuar nga vështërisitë e jetës për mbijetesë. Por, me art e muzikë, ato më lehtë përballohen.

Dëshira Haxhi, ka marrë disa çmime e vlerësime letrare për krijimtaritë e saj artistike nëpër konkurset letrare në Shqipëri, Kosovë e gjithanmdej trojeve shqiptare. Bisedën e zhvilloi NS/Portali Jetapress/Bujanoc (Lugina e Preshevës)