Kënga
“Kënga Magjike”, aktori i njohur i humorit vjen me baladë!
Këtë sezon televiziv emri i tij ka qenë një nga më të lakuarit edhe për faktin se ndërroi ekran.
Olsi Bylykyn që prej 7 tetorit e shohim sëbashku me dyshen e njohur Bes Kallaku dhe Erion Isai, në “B.E Coffee”, rubrika plot humor dhe risi e “Të dielës shqiptare”. Megjithatë duket se surprizat nga Olsi nuk kanë përfunduar me kaq.
Gazeta Express ka mësuar se aktori do të jetë në konkurrim në “Kënga Magjike”, në 20-vjetorin e këtij festivali të njohur. Edhe më herët e kemi parë Olsin në qasje ndaj muzikës, por kanë qenë këngë më tepër në zhanrin e parodisë.
Këtë herë ai do të jetë pjesë në kategorinë “New Artist”, por nuk do të jetë vetëm pasi do të sjellë një bashkëpunim. Ndryshe nga këngët apo klipet e tjera ku e kemi parë sipas burimeve të Gazeta Express, Olsi do të tentojë tek zhanri i baladës.
Tashmë mbetet për të parë cili do të jetë artisti apo artistja me të cilin do të prezantohet aktori në “Kënga Magjike”./Gazeta Express/