Video

Kënga emocionuese e Ukrainës në Eurovision ku përmendet edhe Nënë Tereza

Në festivalin evropian të këngës “Eurovision Song Contest” që nis më 7 maj në Malmo të Suedisë, mes 38 këngëve përfaqësuese, është edhe ajo për Nënë Terezën.

Janë përfaqësueset nga Ukraina, Alyona Alyona dhe Jerry Heil që do të këndojnë “Teresa & Maria”, një këngë për forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e grave ukrainase, e ku përmendet edhe Nënë Tereza, shkruan Zeri.info.

Alyona Alyona [emri i vërtetë: Aliona Olehivna Savranenko] dhe Jerry Heil [emri i vërtetë: Yana Oleksandrivna Shemaieva], kanë fituar garën kombëtare ukrainase për ta përfaqësuar kombin i cili po përballet me pushitimin rus tash e më shumë se dy vjet.

“Nënë Tereza dhe Virgjëresha Maria janë me ne

Zbathur, ecnin në tokë

Me ne Nënë Tereza, Diva Maria

Të gjitha divat kanë lindur si qenie njerëzore…”, thuhet në tekstin e këngës “Teresa & Maria”.

“Njerëzit në Ukrainë e donin këtë. Kështu që ne vendosëm të bashkohemi dhe t’i kujtojmë audiencës evropiane se sa të bashkuar ishin ata në fillim mbi pushtimin e madh”, thotë Aylona.

“Është vërtet e rëndësishme për ne sepse duam që njerëzit të dinë se nuk po ndodh vetëm luftë në Ukrainë. Ne duam që ju të ndjeni empati për Ukrainën, të ndjeni se jemi të barabartë, të ndjeni se jemi të njëjtët njerëz si ju dhe të njihni kulturën tonë dhe të dëgjoni muzikën tonë. Nëse nuk e di se si tingëllon muzika e një vendi, nuk e njeh fytyrën e kombit. Ju nuk ndjeni asgjë për ta, dhe ne duam që ju të ndjeni diçka për ne, sepse kultura jonë shkon kaq thellë në histori dhe mund të sjellë kaq shumë gjëra të reja në botë. Ne dëshirojmë që ju ta shihni dhe dëgjoni atë. Dhe kënga jonë ka një mision”, thotë Heili.

Për këngën e tyre në Eurovizion, “Teresa dhe Maria”, Heil shpjegon për billboard.com se “gratë [ukrainase] mbajnë mbi supet e tyre një botë kaq të rëndë dhe ato ende arrijnë të jenë diva. Por ne të gjithë kemi lindur si qenie njerëzore, kështu që bëjmë gabime, por në fund, ju jeni të përcaktuar nga veprimet tuaja”, transmeton Zeri.info.

Përveç performancës në Eurovizion, Heil dhe Alyona kanë një mision tjetër – të mbledhin para për shkollën “Velykokostromska”, e cila në korrik 2023, një raketë ruse shkatërroi gjimnazin e saj dhe detyroi mbylljen e shkollës. Nëpërmjet fondacionit qeveritar United24, Alyona dhe Heil kanë një qëllim për të mbledhur 10 milionë hryvnia (mbi 250,000 euro) për të rindërtuar objektin dhe për të mundësuar 250 fëmijë të kthehen në shkollë.

“Duhet të rindërtoni të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen”, thotë Heil.

Ndërkohë, dy femrat po promovojnë këngën dhe paraqitjen e tyre në Eurovizion, ndërsa raketat po godasin objektivat në Ukrainë.

“Lufta është një pjesë e këngës sonë,” thotë Heil. “Ne nuk mund ta ndajmë atë. Kënga u krijua nën sulm dhe në alarm. Ndonjëherë ndihemi sikur lufta nuk është asgjë, sepse ajo është bërë pjesë e jetës sonë. Por nënndërgjegjeshëm ne jemi gjithmonë të stresuar. Dhe largimi nga vendi është më stresues sesa të kthehesh këtu” shtoi ajo.

E nga provat që janë duke u mbajtur në skenën e Eurovisionit, vërehet se kënga e tyre në skenë do të pasqyrojë jo vetëm me mesazh por edhe më paraqitjen skenike, pasi aty shfaqen pamje të cilat ngjasojnë me sulmet me armë fosfori që Rusia kryen shpesh mbi territorin ukrainas, shkruan Zeri.info.

Nëse Alyona dhe Heil triumfojnë në Malmö, kjo do të jetë fitorja e katërt e Ukrainës në Eurovizion. Në vitin 2004, Ruslana solli trofeun në shtëpi për herë të parë me “Vallet e egra”. Jamala fitoi në vitin 2016 me “1944”, një këngë për dëbimin e tatarëve të Krimesë nga Bashkimi Sovjetik. Dhe në vitin 2022, vetëm disa muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, Orkestra Kalush fitoi me “Stefania”, një këngë për një nënë ukrainase që u bë një himn lufte.

Eurovisioni do të mbahet më 7, 9 dhe 11 maj dhe në garë janë 38 shtete, ku nga dy gjysmëfinalet do të përzgjedhen nga 10 shtete për finalen e madhe ku do t’i bashkohen shteteve të cilat njihen si “Big 5” [ Britania e Madhe, Italia, Franca, Spanja dhe Gjermania] si dhe Suedisë e cila këtë vit është nikoqire e festivalit dhe shkon direkt në finale.