Këmba e Urës së Rogovës së Hasit rrezikon të shembet, banorët me apel për institucionet

Banorët e Rogovës së Hasit kanë shprehur shqetësimin e tyre se një urë në të cilën kalojnë çdo ditë rrezikon të shembet.

Banorët e kësaj ane përmes një postimi në rrjetet sociale kanë thënë se nga reshjet e fundit këmba e urës ka lëvizur edhe më shumë, ndërsa ju bëjnë thirrje institucioneve lokale e qendrore të intervenojnë sa më shpejt që të jetë e mundur pasi rrezikohet jeta e banorëve.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Në mars të vitit 2013 nga reshjet atmosferike ishte rritur niveli i lumit Drini i Bardhë ku si pasojë këmba e katërt e urës kishte rënë më poshtë duke e humbur strukturën e saj, nga ajo kohë nuk është bërë asnje intervenim në të nga institucionet komunale dhe ato qëndrore.

Kurse nga të reshurat e fundit kjo këmbë ka lëvizur edhe më shumë duke e humbur tërësisht nivelin strukturor të saj, nga pamjet në fotografi shihet që kjo këmbë ka flejtur edhe më shumë, nuk rekomandohet kalimi me pesha të rënda pasi si pasojë mund të vije deri te shembja e kësaj ure e cila do të ishte fatale për Rogovën dhe Hasin në përgjithësi.

Ju bëjmë apel institucioneve lokale dhe qendrore që të intervenojnë sa më shpejt që të jetë e mundur pasi që rrezikohet shembja e urës së Rogovës, e cila mund të rrezikoj edhe jetën e njeriut.