Kelmendi: Qeveria e pakicës është skenari më katastrofal i mundshëm

Publicisti Adriatik Kelmendi thotë se qeveria e pakicës është skenari më katastrofal i mundshëm.

Sipas tij, edhe pse ka mjaft arsye për frustrim, zhgënjim dhe humbje nervazh me situatën e krijuar, LVV-ja dhe LDK-ja duhet ta rrotullojnë çdo gur të mundshëm në mënyrë që ose ta bëjnë qeverinë bashkë, ose – fundi i fundit – të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Edhe zgjedhjet e parakohshme, krahasuar me qeverinë e pakicës, do të ishin më pak të dëmshme, sesa dëmet që do t’i shkaktonte një qeveri e cila do të kishte pakicën e votave të deputetevë shqiptarë të përfaqësuar në te. Partitë nuk duhet të mendojnë vetëm për veten, por edhe për Kosovën. Në kohën kur Kosova në planin e jashtëm kurrë nuk i ka pasur punët më keq, kurse qytetarët çdo ditë e më shumë po duan të ikin prej saj, nevojitet stabilitet qeverisës dhe jo lojëra inatesh”, shkruan ai.

Sipas tij, nëse, për shembull, LDK-ja do t’ia votonte Kurtit qeverinë e pakicës të përbërë nga LVV-ja dhe pakicat, këtë do ta bënte nga inati – për ta treguar se Kurti s’mundet pa ta, se do të dështojë.

Në anën tjetër, shton Kelmendi, do të na përsëritej episodi i votimit të kryeparlamentarit.

“LDK-ja mendoi se po e luan mençur me votimin e njëanshëm të Konjufcës, por po shihet se si kjo e komplikoi situatën. Tash LVV-ja po e akuzon LDK-në se pse ajo po e kërkon dorëheqjen e Konjufcës kur vetë e kanë votuar. Njësoj do të dukej edhe me një qeveri Kurti të pakicës. Kurti do t’i quante LDK-në dyfytyrësha. Do t’u thoshte se vetë më keni votuar, kurse tash s’po më leni të punoj. Me të drejtë! Votimi nuk është lojë kilesh. Ose bëhet me bindje, ose nuk bëhet. Në një situatë të tillë, çdo dështim të vetin eventual, Kurti do t’ia faturonte LDK-së. Kështu, të gjithë do të ishin humbës. Edhe LVV-ja edhe LDK-ja, por më së shumti Kosova. Kosova do t’i humbte edhe një dy vjet në akuza e kundërakuza të brendshme, do të kishte shumë mllef, urrejtje dhe negativitet, teksa askush nuk do të merrej me problemet direkte të qytetarëve. Të zënë me njëri-tjetrin, nga zhgënjimi qytetarët do të vazhdonin ta braktisnin vendin, kurse do të mund të viheshim edhe para aktit të kryer me ndonjë propozim-marrëveshje të dëmshme për çështjen Kosovë-Serbi, në mungesë të kapaciteteve vendore për t’u marrë seriozisht me te. Në të njëjtën kohë, edhe Gjykata Speciale do të mund të shkaktonte tronditje të madhe në vend. Kështu që, lejini marrëzitë e bëhuni bashkë. Ose, më mirë t’i humbim edhe 3-4 muaj në zgjedhje të parakohshme, se sa 2-3 vjet me marrëzi politike”, shkruan në fund ai. /Ballkani.info/