Kelmendi: Kompania ime ka zëvendësuar 95% të produkteve serbe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se bizneset e mëdha në Kosovë tashmë kanë arritur të zëvendësojnë produktet serbe në masën 90%.

Kelmendi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se heqja e doganës nga bashkësia ndërkombëtare për vendet e rajonit ka ndikuar që në Kosovë të konsumohen ato serbe e boshnjake e të dëmtohen produktet turke, evropiane e amerikane.

“Taksa 100% ka ndikuar ta afaristët e ndryshëm që të hulumtojnë tregun evropian dhe ekziston një vullnet i madh që të mbështeten produktet zëvendësuese, dhe besohet që kanë arritur t’i zëvendësojnë në masën 90%. Edhe nëse hiqet taksa më nuk do të ketë interes për kthimin e produkteve serbe”.

Afaristi ka thënë se në bazë të informatave që ka, në kompaninë e tij produktet serbe janë zëvendësuar në masën 95%.

“Sipas informatave që kam, këto produkte janë zëvendësuar plotësisht 95%. Këtë zëvendësim plotësisht e quaj zëvendësimin e përhershëm e jo të përkohshëm. Zëvendësimi i përkohshëm paraqet rrezik me rastin e rihapjes së kufijve”, tha ai.

Kelmendi ka thënë se asnjëherë importet e kompanive të tij nuk kanë qenë më të larta se 5% nga Serbia.

“Nga qarkullimi [me Serbinë] që ka qenë diku rreth 360 milionë euro, ne kemi pasur qarkullim prej 10-15 milionë…Import nuk kemi pasur më shumë se 5 apo 6 milionë euro”, tha ndër të tjera Ramiz Kelmendi.