KEK-u tregon se a do të ketë rrymë gjatë dimrit

Dilema e qytetarëve si për çdo vit tjetër është se a do të ketë energji të mjaftueshme gjatë sezonit të dimrit.

Kjo pasi ende pa hyrë në dimër, kanë nisur reduktime të rrymës nëpër disa fshatra të komunave të ndryshme, prandaj, edhe shqetësimi i njëjtë mbetët edhe përgjatë ketë sezone.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po siguron qytetarët se do të kujdeset që të ketë rezerva të mjaftueshme të lëndës djegëse.

Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në KEK, Skënder Bucolli në një përgjigje për “Indeksonline” ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për dimër.

“Na lejoni të ju njoftojmë se KEK gjatë nëntë mujorit të këtij viti ka arritur me sukses të realizojë prodhimin konform planifikimeve dhe bilancit energjetik, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për sezonin dimëror dhe nuk ka mëdyshje se prodhimi do të vazhdojë me të njëjtin ritëm”, thuhet në përgjigjën e tij.

Tutje, ai ka theksuar se KEK po bënë edhe planifikimin e mbrojtjes së objekteve dhe pajisjeve në termocentralin A dhe B.

“Për më tepër, në vazhdën e përgatitjeve dimërore, përveç remonteve të blloqeve, KEK-u bën edhe planifikimin e rregullte të mbrojtjes së objekteve dhe pajisjeve kryesore në TC-A, TC-B dhe Miniera nga te ftohtit dhe gjithashtu kujdeset që të ketë rezerva të mjaftueshme të lëndës djegëse (qymyr dhe mazut)”, është shprehur Bucolli.

Ndërsa, të pyetur KEDS se sa është i gatshëm të importojë energji në rast që KEK nuk prodhon mjaftueshëm, shkurt kanë thënë do t’i përmbahen bilancit energjik.