KEK-u shet 150 mijë tonë qymyr për qytetarë e biznese

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar të premten se nga data 20 tetor do të nisë me procesin e shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese. Sipas njoftimit, do të shiten 150 mijë tonë për 60 ditë.

KEK-u ka thënë se vendimi është bazuar në masat e ndërmarra të Qeverisë për zbutjen e krizës energjetike dhe referuar rekomandimit të Komitetit Teknik Emergjent.

Shitja do të bëhet në minierën e Sibovcit.

Për një qytetar sasia është e limituar në një kamion prej 10 tonësh. Një ton kushton 15 euro. Ndërkaq, procesi i ngarkimit dhe transportit do të bëhet nga një operator i përzgjedhur prej KEK-ut dhe s’mund të kalojë koston e ngarkimit prej 30 eurosh për kamion dhe 2.4 euro për kilometër për transport, bëhet e ditur në njoftim.

“KEK fton të gjithë të interesuarit që të shfrytëzojnë ketë mundësi për furnizim me qymyr për të përballuar më lehtë koston e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror”, thuhet në njoftim.

Në vazhdimësi në vend janë bërë thirrje për ndalim të përdorimit të qymyrit për ngrohje për shkak të ndotjes së ambientit. Megjithatë, sivjet institucionet kanë apeluar që qytetarët të gjejnë alternativa në vend të ngrohjes me rrymë, për shkak të krizës energjetike.