KEK-u mbetet jashtë auditimit, Auditori Gjeneral thotë se nuk kanë kapacitete profesionale

Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji i veçantë, i japin Zyrës Kombëtare të Auditimit -ZKA mandat të gjerë të auditimit të të gjitha subjekteve të sektorit publik në Kosovë.

Posta e Kosovës, Telekomi e disa ndërmarrje tjera publike qendrore e lokale po auditohen çdo vit nga Auditori Gjeneral, por jo edhe Ndërmarrja Publike më e madhja në Kosovë që ka mbi 4000 punëtorë, Korporata Energjetike e Kosovës.

Kjo ndërmarrje publike qendrore auditohet nga auditorët e brendshëm dhe auditorët të cilët angazhohen me kontratë nga vetë korporata.

Saranda Husaj Baraliu, drejtoreshë e Departamentit për Komunikim dhe Zhvillim Profesional në ZKA thotë, se deri më tani ZKA-ja ka audituar një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve publikeve duke e rritur çdo vit këtë numër dhe se rritja e portofolios  së auditimit të ndërmarrjeve publike bëhet krahas kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të institucionit, ndërsa,  planifikimi i auditimit bëhet duke u bazuar në rrezik si dhe duke respektuar kontratat eventuale që ato kanë me kompani private të auditimit.

Ajo tha se, kur ka filluar auditimi i NP-ve nga ZKA-ja për herë të parë, në vitin 2016 kanë qenë vetëm një numër i kufizuar i personelit auditues që ka qenë i përgatitur për këtë lloj të auditimit. Për këtë arsye, sipas saj, fillimisht janë audituar vetëm 4 NP (KMDK, KRM Pastërtia – Ferizaj, Trainkos dhe Ngrohtorja e qytetit të Gjakovës) dhe numri i auditimeve të NP-vë është rritur në mënyrë graduale, paralelisht me rritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë sektor, përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe përmes shkëmbimit të përvojave të ekipeve aktuale me anëtarët e rinj.

“Ndonëse është paraparë që çdo vit të shtohen nga dy ndërmarrje publike në portofolion e auditimit të ZKA-së, megjithatë, situata pandemike e ka vështirësuar në shumë dimensione punën tonë dhe e ka pamundësuar trendin e rritjes së portofolit të auditimeve të NP-ve. Sidoqoftë, auditimi i KEK-ut synohet të bëhet në një të ardhme të afërt”, tha Husaj Baraliu për lajmi.net.

Por, çfarë kriteresh kihen parasysh kur filloni auditimin për herë të parë i një ndërmarrje, apo institucioni nga ZKA?

Zëdhënësja e ZKA thotë se, auditimi i Pasqyrave Financiare të Ndërmarrjeve Publike nga ZKA ka filluar me NP-të që mund të cilësohen si mesatare për nga madhësia dhe kompleksiteti, duke vazhduar më pas me rritjen e portofolit jo vetëm për nga numri, por edhe nga kompleksiteti dhe diversiteti i veprimtarive të cilat NP-të ushtrojnë.

“Në praktikat e deritanishme janë përdorur kriteret në vijim: a)  Mbulueshmëria e sektorëve të ndryshëm, p.sh. sektori i ujërave, mbeturinave, transportit publik dhe telekomunikimit, etj; b) Përfshirja e NP-ve nga të tri nivelet: qendrore, rajonale dhe lokale; c) Ndjeshmëria dhe kompleksiteti i NP-ve; d) Vazhdimësia e auditimit të NP-ve të cilat një herë përfshihen në portofolin e ZKA-së. Në përzgjedhjen e NP-ve për auditim sfidë ka qenë kohëzgjatja e  kontratave që NP_të kanë me firmat private të auditimit. Zakonisht, këto kontrata kanë kohëzgjatje 3 vjeçare. Kështu që para çdo planifikimi vjetor të auditimeve, ZKA-ja kontakton me të gjitha NP-të dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për të kuptuar obligimet kontraktuale të NP-ve me firmat privatë të auditimit. Në rastet kur kontratat janë valide me auditorët e sektorit privat, ato NP nuk përfshihen në planin vjetor të auditimit të ZKA-së”, ka shtuar tutje ajo.

KEK-u realizon të hyra vjetore në vlerë rreth 490 milionë euro nga shitja e energjisë, thëngjillit, nga kogjenerimi etj. Ndërsa, kapitali i kompanisë shkon mbi 150 milionë euro.

Ndërkohë, gjatë vitit 2020 nga ZKA janë publikuar 119 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), që përbën numrin më të madh të këtyre auditimeve që nga themelimi I ZKA-së.

Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur në 25 për qind krahasuar me vitin 2015. Veçmas, auditimi i ndërmarrjeve publike ka filluar në vitin 2016 duke filluar me 4 NP, ndërsa në 2020 është rritur në 14 NP.

ZKA-ja auditon Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) të subjekteve publike për të vlerësuar nëse ato ofrojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë dhe nëse paraja publike është shpenzuar për qëllimet për të cilat është aprovuar. ZKA-ja, po ashtu kryen auditime të performancës për të vlerësuar nëse qytetarëve u ofrohen shërbimet që kanë nevojë, me kosto efektive.