Protestë

KEK flet për protestën në Shipitullë

Banorët e fshatit Shipitullë të Obiliqit kanë dalë sot në protestë duke kërkuar përmbushjen një premtim të Kryeministrit Ramush Haradinaj për punësime.

Këta banorë që jetojnë në afërsi të mihjeve të qymyrit dhe kanë protestuar shpesh kundër afërsisë së eskavatorëve të KEK-ut, sot ndaluan punën e njërit prej tyre.

Skender Bucolli, zëdhënës në KEK, për kallxo.com ka thënë se punëtorët kanë bërë rrezikim të prodhimit të rrymës për shkak të ndaljes së punës së një eskavatori.

Ai po ashtu tha se KEK po koordinohet me qeverinë lidhur me kërkesat e protestuesve.

“Në lidhje me këtë çështje KEK-u është duke u koordinuar përmes kanaleve zyrtare me Aksionarin (Qeverinë).Përndyshe, në lidhje me ngjarjen e sotme, pa hyrë në detaje të pretendimeve, kemi të bëjmë me hyrje të palejuar të personave të paautorizuar të cilët kanë bërë ndërprerjen e punës, rrezikim të pronës publike dhe prodhimit. Si rrjedhojë, është lajmëruar policia edhe tash çdo gjë është në duar të organeve të rendit që të sjellin gjendjen në normalitet”, tha Bucolli.