Dy kompanitë

KEDS-i dhe KESCO propozojnë rritje të pagave në kurriz të konsumatorëve

Dy kompanitë private në sistemin e energjisë, KEDS-i dhe KESCO, në aplikimin e tyre për të hyrat maksimale kanë propozuar rritje të pagave për punëtorët, në shkallën 15 për qind. Nëse kjo aprovohet nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kostoja do të ndikojë në tarifat e energjisë, që rivlerësohen në mars

Pas rritjes së pagave për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, edhe KEDS-i dhe KESCO kanë propozuar një rritje prej 15 për qind për vitin 2024. Në raportin për të hyrat maksimale për këtë vit, të dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, të dyja kompanitë private kanë arsyetuar propozimin duke thënë se kjo do t’u ndihmojë operatorëve që të jenë në gjendje ta mbajnë fuqinë punëtore kompetente dhe të kualifikuar.

Por, çdo rritje e kostos operative do të ketë ndikim në tarifat e energjisë për këtë vit, e që pritet të miratohen në fund të marsit.

Propozimin për rritjen e pagave, KESCO e ka lidhur me rritjen e numrit të konsumatorëve si dhe rrezikun e largimit të punëtorëve, pas liberalizimit të vizave.

“Marrë parasysh si më lart, FSHU në këtë aplikim parashikon një rritje të pagave për punëtorët prej 15%, me qëllim që të pasqyrohet vlera e tyre për kompaninë dhe nivelizimin e tyre me pagat e të të licencuarve të tjerë të sektorit. Për më tepër, në përputhje me Rregullën për të Hyrat, FSHU do të përshtatë inflacionin për kostot e miratuara të vitit 2023, si për OPEX, ashtu edhe për kostot e zhvlerësimit”, arsyeton KESCO në propozimin e tij.

Në fund të vitit të kaluar, KEK-u ka rritur pagat e punëtorëve të saj për 15 për qind.

Edhe KEDS-i propozoi rritje të në këtë shkallë për punonjësit e vet, nën arsyetimin për të zvogëluar dallimin në paga në sektorin e njëjtë.

“Ky dallim po i demotivon punëtorët profesionalë duke i detyruar ata të lëvizin kundrejt kompanive private, KEK dhe KOST, paga mesatare e të cilëve është dukshëm më e lartë. Përderisa OSSH është kompani e rregulluar, shpenzimet operative të të cilit janë zvogëluar ndër vite dhe për më shumë në shpenzimet operative ka të aplikuar edhe faktorin e efikasitetit të përcaktuar nga ZRRE-ja, mundësia e OSSH-së për rritjen e pagave është pothuajse e pamundur në këto rrethana”, thuhet në propozimin e KEDS-it.

Paga mesatare në këtë kompani sillet rreth 500 euro.

Në ZRRE kanë bërë të ditur se po shqyrtohen aplikimet e dorëzuara nga operatorët e sistemit dhe se Bordi do të vendosë nëse do të aprovojë një kosto të tillë operative.

Gjatë shqyrtimit të tarifave, merret parasysh kostoja operative dhe e mirëmbajtjes, zhvlerësimi, kthimi i lejuar në kapital, kosto e lejuar e furnizimit, humbjet e lejuara dhe kostoja e importit. /koha.net/