Alicia Kearns

Kearns: Radojiçiq të ekstradohet në Kosovë

Pasi Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi një njoftim të kuq për kryeterroristin, Milan Radojiçiq, kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka kërkuar që ky i fundit së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit paramilitarë serb të ekstradohen në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.

“INTERPOL-i ka lëshuar një njoftim të kuq për Milan Radojiçiqin dhe të tjerët që qëndrojnë pas sulmit terrorist në Banjë dhe vrasjes së policit kosovar Afrim Bunjaku. Radojiçiq tashmë është rrëfyer dhe duhet të ekstradohet në Kosovë me bashkëpunëtorët e tij për t’u përballur me drejtësinë”, ka shkruar Kearns në platformën sociale, X.

Ndryshe brenda tre muajve Kosova do të ngrit aktakuzë kundër kryeterroristit, Milan Radojiçiq, i cili organizoi sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Kështu të paktën raportoi Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në burime brenda sistemit të drejtësisë.

Sipas tyre, hetimet e këtij rasti janë duke vazhduar në mënyrë intensive, ndërsa aktakuzat për personat e përfshirë do të kompletohen gjatë vitit 2024.

Më 7 dhjetor, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Radojiçiqin, në lidhje me sulmin në Banjë.

Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.