KDI

KDI prezanton pesë standardet për rritjen e transparencës dhe e llogaridhënies nga partitë Politike

Instituti Demokrati i Kosovës (KDI),ka mbajtur një takim diskutues në lidhje me financimin e subjekteve politike dhe transparencën në fushatë.

Me këtë rast Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së tha se projektligji i miratuar dje në Komisionin për Buxhet ka nevojë që të plotësohet ende.

“Disa nga rekomandimet tona janë përfshirë në atë draft ligj, ligji i djeshëm nga ajo që kemi arrit me pa i adreson disa çështje, natyrisht ka elemente që duhet të përfshihen, janë elemente që qojmë në ngritjen e transparencës politike”, tha ai.

Florent Spahija, përfaqësues nga zyra ligjore e KDI-së, tha që praktika ka treguar që nuk janë bërë si duhet deklarimet financiare.

“Kufizimet financiare dhe deklarimi financiare, sa herë që të rritet buxheti do të rritet edhe kjo mënyrë e financimit. Më së shumti që një subjekt ka shfrytëzuar ka qenë afër 1milion euro në fushatë zgjedhore. Praktika ka treguar se jo gjithmonë ligjet janë implementuar”, tha Spahija.

Tutje ai tregoi disa nga standardet që ky institut rekomandoi që të përfshihet në projektligjin për financimin e partive politike.

“Standardi i parë është publikimin e emrave të të gjithë anëtarëve të shtabit zgjedhor, detyrimin ligjor që i obligon subjektet politike për hapjen e llogarive financiare, pastaj publikimin e financave të secilit kandidat në fushatë, publikimin e të dhënave edhe për subjektet juridike (kompanitë) që japin donacione për subjektin politik, dhe jo vetëm pronarëve si dhe publikimin e kalendarëve të të gjitha ngjarjeve, të cilat do t`i realizoj subjekti politik gjatë fushatës”, tha ai, raporton kallxo.com.

Ali Lajqi, anëtarë i Komisionit për Buxhet nga Lëvizja Vetëvendosje tha që ligji si i tillë duhet të përmbajë edhe dënime dhe sanksione ndaj shkelësve si dhe duhet të largohen dykuptimësitë të cilat ekzistojnë brenda vet ligjit.

Naser Osmani, deputet i LDK-së si dhe anëtarë i komisionit për buxhet, tha se partitë politike nuk janë transparente për shpenzimet e tyre ku edhe sugjeroi që institucioni i KQZ-së të forcohet në këtë drejtim.

“Çështja financiare është pjesa më delikate, subjektet politike nuk kanë dëshirë me pas transparencë që kërkohet nga publiku. KQZ-ja duhet të forcohet në segmentin që ka të bëjë me mbikëqyrjen financiare.

Në ligjin e ri na paraqitet edhe çështja e auditorit, cili standard ka me siguruar që nuk ka me pas ndërhyrje, një gjë tjetër janë edhe ndëshkimet, auditori nuk është hetues”, tha ai.

Safete Hadërgjonaj, deputete nga PDK si dhe anëtarë e komisionit për financa, tha që transparenca parive lidhet me transparencën e institucioneve.

“Unë i vlerësoj rekomandimet e juaja por duhet të i fusim një analize pak më të thellë, unë transparencën e partive e lidhi me transparencën e institucioneve, nëse janë transparent në parti janë edhe në institucione. Ne në Komision kemi marrë shumë rekomandime dhe jemi mundu që ti fusim brenda ligjit, rekomandimet e ndërkombëtarëve i kemi bërë pjesë të ligjit por praktika ka treguar se janë të pazbatueshme”, tha ajo.