KDI-ja nis aktivitetet në kuadër të muajit kundër korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës ka nisur aktivitetet e para që do të zhvillohen në kuadër të muajit kundër korrupsionit 2018, duke thënë se në këtë vit KDI do ta vendos qytetarin e zakonshëm në plan të parë.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka thënë se këto aktivitete kanë për qëllim ta fuqizojnë rolin e qytetarit si akter të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit si dhe përkojnë me përpjekjet globale qytetare për një botë të lirë nga korrupsioni, raporton Koha Ditore.

Ndërsa Florend Spahija zyrtar ligjore në KDI ka thënë se Kosova vazhdon të Qeveriset me njerëz të akuzuar për korrupsion ku ka shumë ministra e zëvendësministra të akuzuar për korrupsion.

“Kemi një drejtësi joimune ndaj njerëzve të politikës, e po ashtu një drejtësi joefikase ku qytetarët presin me muaj të tërë dhe vite të tëra për të zgjedhur çështjet e tyre para gjykatës. Është shumë e rëndësishme po ashtu që edhe në prokurimin publik shpeshherë kemi rast kur afera korruptive nuk ndëshkohen, kjo shkaku i drejtësisë së dobët”, ka theksuar Spahija.

Prokurimi publik sipas tij, mbetet ndër sektorët më të presupozuar për korrupsion. Kjo pasi siç ka thënë gjatë monitorimit të kontratave që iu kanë bërë, shihet shkelje të ligjeve dhe procedurave në të gjitha fazat.

“Gjatë muajit do të flasim për cilësinë e prokurimit në institucionet qeveritare, që janë edhe ndër shpenzuesit më të mëdhenj të parasë publike, si Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Autoriteti Qendror i Prokurimit. Po ashtu do të shpaloset një analizë e vendimit të qeverisë për dhënien e 53 milion eurove si penalti kompanisë “Bechtel &Enka” si dhe një analizë tjetër që flet për mosndëshkueshmërinë në prokurimin publik”, ka theksuar ai.

KDI gjatë këtij muaji do të trajtojë edhe financimin e subjekteve politike në kohë të fushatave elektorale, më saktë përmes një analize ligjore do të promovojë standardet e reja të transparencës në fushata zgjedhore, standarde që përdoren edhe në vendet e BE-së.