KDI i bën thirrje Kuvendit ta ftojë Kryeministrin Kurti në raportim për dialogun Kosovë – Serbi

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi të përfshihet në mënyrë më dinamike në dialogun Kosovë – Serbi

Kjo thuhet në një deklaratë për media të dërguar nga KDI.

“Duke iu referuar një sërë zhvillimesh lidhur me fazën përgatitore para rifillimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë takimet e kryeministrit Kurti në Bruksel, vizitat e lehtësuesve të dialogut nga SHBA-ja dhe BE-ja, por edhe përgatitjet për takimin e paralajmëruar mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë në qershor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka mbetur në margjinë të këtyre dinamikave”, thuhet në komunikatë.

KDi thotë se deputetët dhe gruper parlamentare duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për diskutimet që ndërlidhen me përgatitjet e procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë, por edhe vetë të ardhmen e këtij procesi.

“Duke qenë se kuadri kushtetues e përcakton Kuvendin si organin më të lartë mbikëqyrës të politikës së jashtme, e për rrjedhojë edhe të dialogut me Serbinë, KDI konsideron që grupet parlamentare dhe deputët duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për diskutimet që ndërlidhen me përgatitjet por edhe vetë të ardhmen e këtij procesi, duke vënë në përdorim mekanizmat e garantuar të kërkim-llogaridhënies ndaj ekzekutivit. Në këtë mes, KDI vlerëson si pozitive diskutimet e fundit në mes të kryeministrit dhe liderëve politikë, por nuk i sheh të mjaftueshme”, thotë KDI.

Tutje, KDI i ka bërë thirrje Kuvendit që ta ftojë sa më parë në raportim Kryeministrin Albin Kurti, për të kërkuar nga ai informacione lidhur me përgatitjet e Kosovës në prag të rifillimit të procesit të dialogut.  

“Prandaj KDI i bën thirrje Kuvendit të ftojë sa më parë në raportim Kryeministrin Kurti, duke kërkuar nga ai ofrimin e informacioneve lidhur me përgatitjet aktuale të Kosovës në prag të rifillimit të procesit të dialogut dhe platformën e Kosovës për këtë proces”, deklaron KDI.

Po ashtu, KDI i ka kërkuar Kryeministrit Kurti që të jetë transparent dhe të ketë raportime të rregullta me vetiniciativë para Kuvendit, për të gjitha zhvillimet që lidhen me dialogun.

“Ndërsa, nga Kryeministri Kurti kërkojmë që, në funksion të transparencës së procesit, të ketë raportime të rregullta me vetiniciativë para Kuvendit për të gjitha zhvillimet lidhur me dialogun, duke përfshirë edhe fazën përgatitore, që do t’i mundësonte Kuvendit ushtrimin e një mbikëqyrje më proaktive”, thuhet në deklaratën e KDI-së.