Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës për 24 orë ka raportuar për katër raste të dhunës në familje.

Sipas raportit të policisë, rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Lipjan, Prizren dhe Gjakovë.

Një person në Prishtinë është arrestuar pasi i njëjti ka ofenduar dhe kërcënuar dy gra.

“ Prishtinë 12.12.2022 – 09:56.  Dy viktimat femra kosovare kanë raportuar se janë ofenduar dhe kërcënuar nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Të gjitha palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është  arrestuar dhe dërguar në mbajtje kurse tjetri është liruar”, thuhet në raport.

Edhe në Lipjan një burrë ka raportuar se është ngacmuar vazhdimisht nga një grua.

“Lipjan 12.12.2022 – 12:00. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është duke u ngacmuar dhe shqetësuar në vazhdimësi nga e dyshuara femër kosovare”.

Kurse, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq në Prizren një person është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.

“Prizren 12.12.2022 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare”.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua nga qyteti i Gjakovës rreth orës 11:30 ka raportuar në Policinë e Kosovës dhunën në familje.

“Gjakovë 12.12.2022 – 11:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se  ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare”.

Sipas Policisë së Kosovës thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa  i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.