Katër orë betejë me flakët: Shuhet zjarri që përfshiu anijen në Portin e Durrësit

Zjarri që përfshiu një anije që ndodhej në radën e portit të Durrësit këtë të shtunë pasdite është shuar pas katër orësh.

Kapiteneria e Portit të Durrësit njofton se rreth orës 14:01 dalloi se nga anija “Kledes Mary” me flamur panamez por me pronar shqiptar po dilte tym.

Zjarri ka nisur në kiçin e anijes, aty ku nisi operacioni nga anija e rojes bregdetare për neutralizimin e flakëve. Me ndihmën e punonjësve të zjarrfikësve të portit, të cilët kanë hyrë në brendësi të anijes me bombula oksigjeni, vatrat e zjarrit u shuan plotësisht pas katër orësh.

Ekuipazhi u evakuuar dhe nga incidenti nuk pati të lënduar.