Katër nga të akuzuarit e Speciales kërkojnë mbështetje financiare për mbrojtje

Të paktën katër kërkesa për mbështetje financiare për mbrojtje juridike nga shteti i Kosovës kanë bërë ekipet e mbrojtjes të të akuzuarve për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar për KOHËN se bazuar në Ligjin për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara ka shqyrtuar deri tash katër kërkesa për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike, duke mos dhënë detaje se për kë bëhet fjalë apo sa është shuma e ndarë.

Kjo ministri ka thënë se për detaje të tjera do të njoftojë me kohë.

Deri tash nga Specialja në Hagë janë ngritur aktakuza për krime lufte ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, ndërsa ndaj krerëve të Organizatave të Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për “pengim të drejtësisë”.

Për Thaçin e Veselin ka kaluar një muaj që kur janë themeluar fondacione. Por për to s’është dhënë asnjë informacion.

Për ta përkrahur mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Specialja, Kosova ka vënë në dispozicion rreth 20 milionë euro.