Katër komuna tjera hyjnë në karantinë

Shtabet e Krizës së katër komunave në veri të Kosovës kanë marr vendim për karantinimin e katër komunave dhe kufizimin e lëvizjes nga ora 21:00 deri në 5 të mëngjesit.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq i cili tha se masat u morën për shkak të situatës së përkeqësuar dhe të numrit të shtuar të rasteve të të prekurve me koronavirus.

“Situata në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’ është më e vështirë sesa ishte dhe ata do të marrin masa kufizuese në përputhje me vendimet e qeverisë serbe”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Në të njëjtën kohë, u takuan shtabet e krizës në veri, dhe pas konferencës për shtyp të Vuçiqit, ata dhanë detajet e vendimit.

“Nga sot, gjatë javës së ardhshme nga ora 21:00 deri në 05:00 ndalohet lëvizja e të gjithë personave, përveç personave që janë përgjegjës për luftimin e pandemisë dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, deklaroi Rakiq.

Sipas këtij vendimi, ndalohet hyrja dhe largimi nga territori i katër komunave në veri, përveç personave me leje speciale.

Gjithashtu u njoftua se institucionet publike në veri të Kosovës do të zvogëlojnë numrin e punëtorëve në minimum.