Katedralja që përçau LDK-në
Sot në Kosovë kanë shpëthyer debatet nëse Qeveria e Kosovë do të duhej të ndante apo jo një fond solidar për rindërtimin e katedrales Notre Dame e cila dy ditë më parë u dogj në kryeqytetin francez.
Për këtë vendim janë shprehur shumë njerëz të rëndësishëm e të parëndësishëm, kuptohet me peshën e fjalës së tyre.
Disa kanë thënë se kryeministri Haradinaj më mirë të ndante para për rindertimin e ndonjë xhamie, disa të tjerë thonë se ato para do të duhej të shkonin për bamirësi e shëndetësi.
Të tjerët e kanë përkrahur fuqishëm këtë vendim me faktin se Kosova rreshtohet në mesin e vendeve perëndimore dhe është një solidarizim me ndihmën që Franca i ka dhënë Kosovës në vazhdimës, shkruan Ballkani.info.
Kundër ndarjes së këtij fondi ka dalë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai, nëpërmes rrjeteve sociale, është shprehur kundër ndarjes së mjeteve dhe ka thënë se Franca nuk ka nevojë për to, por nevojë kanë dy vajza që janë duke kërkuar ndihmë për shërim e spitalet për doreza sterile.
Mirëpo, i të njëjtit mendim nuk ishte shefi i Abdixhikut në Kuvend, Avdullah Hoti.

Ndonëse thotë se Franca nuk ka pasur nevojë për një ndihmë kaq simbolike, megjithatë deklaron se me ndarjen e këtyre mjeteve tregojmë ne se si shoqëri dhe shtet e vlerësojmë trashëgiminë kulturore botërore.
“A ka pasur nevojë Franca për ndihmën tonë kaq simbolike për rekonstruimin e Katedrales? Sigurisht se jo. Me ndarjen e këtyre mjeteve, a tregojmë ne si shoqëri dhe shtet se e vlerësojmë trashëgiminë kulturore botërore, si dhe mbështetjen që kemi pasur në momente kritike të ekzistencës tonë nga shteti mik Franca? Sigurisht se po”, shkroi Hoti në Facebook. /Ballkani.info/