Mediat amerikane raportuan se administrata e Presidentit Donald Trump po përgatitet të marrë një Boeing 747-8 nga familja mbretërore e Katarit, vlera e të cilit vlerësohet në 400 milionë dollarë.

Kjo mund të jetë “dhurata më e vlefshme që i është dhënë ndonjëherë Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga qeveria”, e cila mund të ngrejë pyetje nëse është edhe e ligjshme, shkruan ABC News, transmeton Ballkani.info.

Dhurata është planifikuar të bëhet “Air Force One” e re derisa Presidenti Donald Trump të largohet nga detyra, kur do t’i dhurohet Fondacionit të Bibliotekës Presidenciale Trump, tha një burim i njohur me marrëveshjen.

Burimet shtuan se dhurata pritet të shpallet zyrtarisht javën e ardhshme gjatë vizitës së Trump në Doha.

Trump vizitoi aeroplanin ndërsa ishte i parkuar në aeroportin ndërkombëtar West Palm Beach në shkurt, dhe është aq luksoz sa njihet si “pallati fluturues”.

Gjithashtu, avokatët nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë arritën në përfundimin se dhurata ishte e ligjshme dhe “nuk shkelte ligjet kundër ryshfetit”.

Avioni do t’i transferohet Forcave Ajrore të SHBA-së, e cila do ta modifikojë atë për të përmbushur specifikimet ushtarake të nevojshme për t’u përdorur për të transportuar presidentin amerikan.

Megjithatë, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes tha se Forcat Ajrore të SHBA nuk kishin arritur asnjë marrëveshje kontraktuale për të rinovuar avionin, raportoi New York Times.