Kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pasi disa pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë futur ilegalisht brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Kastrati ka thënë se është e papranueshme që xhandarmëria serbe të futet në pjesë të territiorit të Republikës së Kosovës që kanë mbetur gabimisht neutrale sipas Marrëveshjes së Kumanovës.
Kreu i Komunës së Kamenicës ka thënë se ajo pjesë është nën kontroll të KFOR-it dhe përgjegjësia e ngjarjes së sotme mbie mbi ta.
Tutje Kastrati ka treguar se i është dashur ta ndërpres mbledhjen në gjysmë pas zhvillimeve në Karaqevë.
Reagimi i plotë:
Është e papranueshme hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, të shpallur gabimisht me marrëveshje të Kumanovës si zonë neutrale.
Terrorizimi i banorëve të Karaqevës nga forcat serbe është i papranueshëm dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi edhe forcat e KFOR-it. Ajo zonë është përcaktuar si zonë neutrale (edhe pse gabimisht) dhe e vetmja forcë që ka të drejtë hyrje në atë zonë eshtë KFOR-i. Hyrja e xhandarmërise serbe në atë zonë dhe kontrollat që i bëjnë njerëzve është kërcënim direkt për qytetarët e Karaqevës në veçanti dhe për gjithë shtetin e Kosovës në përgjithësi.
U desh të largohem në gjysmë të takimit dhe diskutimit me kryetarët e komunave të regjionit tonë për hapat që duhet të ndërmarrim si regjion për trajtimin e COVID-19 dhe në këto momente jam duke shkuar pranë atyre qytetarëve që po përballen me këtë situatë kërcënuese.
Kjo është e papranueshme.







