Kartolinat

​Kartolinat në kohën e digjitalizimit, nga tradita deri te harrimi gradual

Kur flasim për kartolinat, kujtojmë një kohë kur komunikimi ndërmjet njerëzve bëhej përmes letrave. Këto kartolina, me imazhe të bukura dhe mesazhe të ngrohta, ishin një mjet i zakonshëm për të shprehur dashuri dhe urime. Megjithatë, me ardhjen e teknologjisë, kartolinat janë përfshirë në një rrugëtim të panjohur drejt harrimit.

Liridona Bujupaj-Sabedini, pronare në një nga dyqanet e dhuratave në kryeqytet, thotë për KosovaPress, se kartolinat për një kohë të gjatë janë përdorur si mjet komunikimi mes njerëzve, por me ardhjen e teknologjisë ata kanë filluar që urimet t’i shkëmbejnë në mënyrë digjitale.

“Kartolinat apo kartat e urimit qysh në kohët e hershme janë përdorur si mjet komunikimi në mes të njerëzve. Përmes tyre janë përçuar mesazhe dhe urime, po ashtu edhe kanë bërë shkëmbimin e mesazhit … Edhe në kohët e sotme kjo ka mbetur si zakon që njerëzit të urojnë dhe shkëmbejnë mesazhe dhe fjalët më të bukura për njëri-tjetrin përmes kartolinave… Në sezonin e dimrit siç e dimë muaji dhjetor është edhe muaji i festave, mund ta quaj edhe muaji i kartolinave, d.m.th. dhurata më e mirë që mundemi t’i bëjmë njëri-tjetrit dhe më e pakushtueshme është kartolina… Kartolina është një mjet komunikimi dhe urimi, i cili i mbijeton kohës dhe ne e ruajmë me shumë dashuri të gjitha ato mesazhe dhe të gjithë atë dashuri që gjendet brenda saj”, u shpreh ajo.

Kartolinat të cilat punohen me dorë janë më të pëlqyerat nga qytetarët. Punimi i një kartoline nuk është e vështire kur e punon me dashuri, thotë Sabedini.

“Kartolinat në përgjithësi te ne pëlqehen, por më së shumti ato të cilat i punojmë me dorë … Nuk është shumë e vështirë, mjafton të kemi mjetet e punës dhe pak dashuri brenda vetes, kreativiteti është numër një që të ndihmojë që ta bësh më të mirën për ta punuar një kartolinë”, tha ajo.

Shoqata “Autizmi”, e cila merret me fëmijë me nevoja të veçanta, ndër aktivitetet e shumta që realizon, është edhe punimi i kartolinave nga vetë fëmijët me autizëm, të cilat blihen nga institucionet dhe bizneset e ndryshme.

Drejtoresha e kësaj shoqate Hatixhe Hoxha, thotë për KosovaPress, tha se shitja e kartolinave mbulon shpenzimet e fëmijëve me autizëm për ata që janë me raste sociale.

“Janë 65 fëmijë dhe prej tyre janë disa edhe raste sociale, në zakonisht rastet sociale mundohemi t’i mbulojmë përmes projekteve të ndryshme … Kartolinat për disa vite kanë funksionuar edhe përmes shitjeve të tyre kemi arritur t’i paguajmë shërbimet e rasteve sociale, me ato kartolina punojnë terapistët tanë të cilët punojnë me fëmijët, por kanë qenë edhe prindërit, të cilët kanë ndihmuar. Ka pasur edhe punë vullnetare, por edhe praktikantë të ndryshëm… Shpesh thuhet se këto shërbime ose dhurimi i kartolinës është i kushtueshëm ose jo. Ndoshta ti i dhuron dikujt diçka ose i shkruan email dhe një mesazh, dhe përmes atij mesazhi ti mund të përcjellësh një urim. Mirëpo, vetë fakti se për çka dedikohen, misioni ynë bën që njerëzit të rikthehen t’i blejnë më shpesh ato kartolina. Ato mjete shkojnë për fëmijët me aftësi të kufizuar në këto raste për fëmijët me autizëm, por ata që janë me raste sociale më shumë”, u shpreh ajo.

Shuma e mbledhur e parave nga kartolinat për shoqatën nuk janë shumë. Hoxha thotë se “dikujt ndoshta një kartolinë i mundëson një shërbim”.

“Ne do të vazhdojmë, po vetëm ta kuptojnë edhe të tjerët, se dhurimi i një kartoline ndoshta duket një çmim simbolik ose duket një diçka de-mode në krahasim me mediat sociale. Në anën tjetër është se kujt i dedikohet ky mision dhe për çfarë shërbejnë ato mjete. Unë mendoj që ia vlen të blihen (kartolinat) dhe duke i dhuruar dikujt një kartolinë ndoshta i mundëson një shërbim fëmijëve”, tha ajo.

Nga ana e tyre, qytetarët shprehën nostalgjikë, duke e pranuar se mesazhet i dërgojnë vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ramadan Azemi tregon se kartolinat i ka përdorur vetëm kur ka qenë në moshë të re.

“Jo, nuk i përdori.Ato tani kanë dalë nga përdorimi, por kur kam qenë i ri 20,25,15-vjeç në shkollë fillore i kam përdor, ka qenë kënaqësi, por tani në kohën e fundit ato kanë dalë nga përdorimi, dhe nuk po shoh që po shiten”, tha ai.

Edhe Jakup Halili thotë se kartolinat kanë dalë nga “trendi” dhe se në këtë kohë urimet bëhen përmes formave të tjera.

“Tash jo, kanë dal nga trendi. Tani po bëhen të tjera urime, në mënyra të tjera. Nuk bëhet më përdorimi i kartolinave si përpara. Ne i kemi përdorur shumë. Viti i Ri nuk ka kaluar pa kartolina, nuk i kemi lënë dhe tash pas lufte nuk i kemi bërë”, tha ai.

Mendrit Ramadani thotë se kartolinat nuk i mungojnë shumë, pasi ai përdorë rrjetet sociale si mjet komunikimi me të tjerët.

“Ndonjëherë po ndonjëherë jo. Tash kanë dalë rrjetet sociale dhe me rrjete sociale i urojmë festat. Është një gjë e bukur dhe t’u rikthehemi prapë (kartolinave) nuk është që na mungon shumë”, tha ai.

VIDEO BONUS: Rinia e PDK-së e quan Kurtin “babadimër të skandaleve”