Karaqeva i shkruan Ekipit negociator: Mos i harroni pronat tona

Selver Lenjani në emër të banorëve të Karaqevës i ka shkruar ekipit negociator duke kërkuar prej tyre që në të gjitha nivelet e bisedimeve ta kenë parasysh çështjen e brezit kufitar në Karaqevë, ku tash e sa vite janë në kontest rreth 26 mijë hektar tokë të Kosovës dhe mbi 170 pronarë tokash.

Në letrën e Karaqevë drejtuar ekipit negociator thuhet se tash e 19 vite asnjëra nga qeveritë e gjertanishme nuk është marrë me problemin e Karaqevës edhe pse përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane kemi reaguar dhe sjellur prova dhe argumente të bollshme ku shihet çartë se ne po i humbim livadhet dhe arat tona që po na i merr Serbia përkundër asaj se ne kemi certifikatat e pronësisë dhe tatimet e pronësisë dhe i paguajmë tatimet në komunën e Kamenicës, përsëri pronat tona po i kontrollon shteti i Serbisë me xhandarmërinë serbe dhe “çuditërisht”, policia e Kosovës e ka të ndaluar patrullimin në atë zonë të Karaqevës edhe pse ajo zonë gjendet brenda hartës dhe territorit të Kosovës.

Ne ende nuk e kemi të qartë se si është e mundur që ky shqetësim i joni vazhdon ende të na përcjell edhe pas kaq vitesh e deri në ditët e sotme dhe askush nga institucionet e vendit nuk i dha as vëmendje e as zgjidhjen e merituar kësaj çështje me interes nacional e shtetëror.

Përderisa ne në Karaqevë jetojmë pa asnjë autoritet institucional të Kosovës, konsiderojmë që përfaqësuesit tonë legjitim dhe tani ju si ekip i grupit negociator, në bisedime me Serbinë, duhet ta keni në agjendën tuaj e pse jo si një ndër prioritetet tuaja që kjo çështje me interes nacional dhe shtetëror i Kosovës të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Banorët e brezit kufitar mbesin me shpresë se kjo çështje do të trajtohet njëherë e mirë nga grupi negociator përfundon letra e Lenjanit