Kaq para gjobë do paguajë Apple për ngadalësimin e iPhonëve të vjetër

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Apple, do të paguajë deri në gjysmë miliard dollarë gjobë për shkak të ngadalësimit të modeleve të vjetra të iPhonet në mënyrë që t’i detyrojë përdoruesit të blejnë modelet më të reja.

Sipas dokumenteve të lëshuara nga Gjykata e Qarkut e SHBA-së në San Jose, Kaliforni, Applet i kërkohet t’u paguajë pronarëve të iPhonëve të caktuara nga 25 dollarë për pajisjet e prekura, që i bie minimum 310 milionë dollarë dhe maksimum 500 milionë, shkruan cnn.

Shuma të cilën do ta marrë secili përdorues mund të rritet ose ulet, varësisht se sa kërkesa do të paraqiten, si dhe ndonjë tarifë ligjore shtesë dhe shpenzimet e aprovuara nga gjykata, thuhet tutje në dokument.

Kjo betejë ligjore e Applet, i cili është përpjekur që të lehtësojë reagimin global, ka zgjatur mbi dy vjet.

Në dhjetor të vitit 2017, Apple pati pranuar se ka përdorur përditësime të softuerëve për të ngadalësuar iPhonët e vjetër, menjëherë pasi përdoruesit e zemëruar dhe analistët e teknologjisë kanë reaguar duke thënë se përditësimet po shkaktonin ulje të performancës se iPhonëve.

Disa nga ta, po ashtu, patën thënë se Apple e bëri këtë për të detyruar përdoruesit të përditësojnë modelet më të fundit të iPhonet, por kompania kishte thënë se ka për qëllim adresimin e çështjeve me bateritë më të vjetra litium-jon, të cilat do t’i bënin telefonat të fiken papritmas, për të mbrojtur përbërësit e tyre.

Më vonë, Apple ka kërkuar falje dhe ka ofruar zëvendësimin e baterive konsumatorëve të saj për 79 dollarë, duke rënë pastaj në 29 dollarë në janar të vitit 2018. Kreu i kompanisë, Tim Cook, një vit më vonë pranoi se të ardhurat në vitin 2018 janë goditur pjesërisht nga “ulja e ndjeshme e çmimeve për zëvendësimet e baterive të iPhonëve”.

Përdoruesit e iPhonëve të prekur në SHBA, mund të paraqesin kërkesat e tyre nëse kanë modelet si iPhone 6, 6 Plus, 6S, 6S Plus, 7, 7 Plus ose SE, të blerë para 21 dhjetorit të vitit 2017.