Kapja e QKUK-së nga VV/ Kështu nuk menaxhohet kriza. Kështu thellohet kriza, Albin!

Adil Behramaj, këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, ka kritikuar Qeverinë në dorëheqje në lidhje me vendimin për shkarkimin e Bordit të QKUK-së, dhe emërimin e një bordi të ri, pjesë e së cilit është edhe ish-kandidati për deputet nga VV-ja, Mirsad Shkreta.

“Nëse kthehemi 2-3 muaj prapa, ishte pikërisht Albin Kurti që në vazhdimësi e akuzonte Qeverinë e kaluar për vendime të kundërligjshme, e cila, sipas tij, nuk kishte të drejtë të merrte vendime në dorëheqje. Madje, shumë prej atyre vendimeve i kishte shfuqizuar pas ardhjes në krye të Qeverisë. Kurse, sot, të njëjtën gjë e bëri edhe vetë”, ka shkruar Behramaj në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i Behramajt:

Plot absurditet kjo vendimmarrja e Qeverisë në dorëheqje. Albin Kurti me marionetat e tij vajtuan ditë e natë sesi po rrëzohej Qeveria në një krizë të madhe për vendin. Ata nuk kursyen tërë arsenalin që kishin në Kuvend e Qeveri, duke qarë e ulërirë nga mëngjesi deri në mesnatë sesi populli po mbetej pa Qeveri kur e gjithë bota po përballej me Coronavirusin. Madje, e mobilizuan edhe tërë makinerinë propagandistike dhe cyberxhematin, siç i quan Artan Behrami gjinkallat e tyre, për ta terrorizuar edhe popullin se gjoja rrëzimi i qeverisë ishte një apokalips që po ndodhte në Kosovë.

Ndërsa, sot, pa fije turpi dhe pa asnjë përgjegjësi morale, politike dhe ligjore, duke mos dhënë asnjë argument apo fakt, e paskan shkarkuar edhe Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, që është një prej shtyllave kryesore të kujdesit shëndetësor në vendin tonë.

Dhe, nëse situata e krijuar nga pandemia, siç po deklaron Qeveria, qenka menaxhuar mirë deri më tash, atëherë ky bord nuk do të duhej të shkarkohej, por të shpërblehej.

Po ashtu, nëse kthehemi 2-3 muaj prapa, ishte pikërisht Albin Kurti që në vazhdimësi e akuzonte Qeverinë e kaluar për vendime të kundërligjshme, e cila, sipas tij, nuk kishte të drejtë të merrte vendime në dorëheqje. Madje, shumë prej atyre vendimeve i kishte shfuqizuar pas ardhjes në krye të Qeverisë. Kurse, sot, të njëjtën gjë e bëri edhe vetë!

Me vogëlsinë e tij, kryeministri i shkarkuar tani po i jep shqelmat e fundit, duke goditur edhe institucionet profesionale, që në këtë kohë të vështirë po merren me luftën kundër pandemisë.

Betejën këto institucione po e bëjnë dhe jo kjo Qeveri.

Kështu nuk menaxhohet kriza. Kështu thellohet kriza, Albin!