Kapja e 3 kg drogë, Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim për tre të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurve A.F., K.N., si dhe, L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge në bashkëkryerje”.

Prokuroria njofton se, më 02 tetor 2022, në pikën e kalimit kufitarë Qafë Prush, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes kanë poseduar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.

“Gjatë kontrollimit në pikën kufitare nga Shqipëria për në Kosovë nga zyrtarët policor, në automjetin të cilin e drejtonte i dyshuari A. F., ku ishin prezent edhe dy të dyshuarit e tjerë, në bagazh është gjetur një thes ngjyrë e bardhë i mbushur me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë, me peshë prej 3 kilogramë e 452 gramë, e cila më pas është sekuestruar nga zyrtarët policer”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurve ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtët, me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 02  tetor 2022.