Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se është parandaluar një rast i tentim-futjes së kontrabandës në burgun e Dubravës.

Sipas njoftimit, gjatë një kontrolli rutinor dhe bastisjes së një vizitori, zyrtarët korrektues kanë zbuluar të kamufluara në trupin e tij dy telefona mobilë, një kartelë SIM dhe dy kabllo mbushëse.

Të gjitha pajisjet janë konfiskuar menjëherë, ndërsa vizita është anuluar.

Po ashtu, ndaj personit të dyshuar janë ndërmarrë procedurat e nevojshme në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit në institucionet korrektuese të vendit.