Kapet sërish “Alket Rizai” francez. U arratis me helikopter nga burgu

Rédoine Faïd, një gangster francez që mundi të arratisej nga qelitë përmes një helikopteri gjatë muajit korrik, është arrestuar sërish.

46-vjeçari Faid është vetëquajtur një fans i zjarrtë i filmave me gangsterë, prej të cilëve ka “mësuar” edhe metodat sesi t’u shpëtojë policëve në raste bastisjeje. Ai u arrestua për herë të parë në vitin 1998 për grabitje të armatosur.

Arratisja e 1 korrikut ishte e dyta në historinë e tij, por edhe më dramatikja. Ai doli nga një burg në Réau, në juglindje të Parisit, falë ndihmës së 3 personave të armatosur rëndë që mundën të futeshin në dhomën e vizitorëve. Ata e morën dhe e futën atë në një helikopter më pas, i cili po drejtohej nga një instruktor fluturimesh që ishte marrë peng.

Faïd ishte duke shlyer një dënim 25-vjeçar me burg, i akuzuar si truri i grabitjes së dhunshme gjatë së cilës një police femër mbeti e vrarë në vitin 2010. Tashmë, ai është kapur sërish në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në qytetin Creil.

“Do ta fusim atë në një burg të sigurisë së lartë, ku do të mbikëqyret në mënyrë tejet ekstreme”, tha ministri francez i Drejtësisë, Nicole Belloubet tha për radion “Europe 1”.

Arrestimi erdhi pak orë pasi ministri i Brendshëm, Gérard Collomb, zyrtari më i lartë francez i autoriteteve ligjzbatuese, dha dorëheqjen për të garuar për postin e kryebashkiakut të Lionit, qytetit të dytë më të madh të Francës.

Largimi i tij konsiderohet si një goditje e re për presidentin Emmanuel Macron, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm në javët e fundit. Postin e ministrit të Brendshëm do ta mbajë për momentin kryeministri Édouard Philippe.

Por kush ishte Rédoine Faïd? I lindur në vitin 1972, ai u rrit në Creil. Në vitet ’90, ai drejtoi një bandë të përfshirë në grabitje të armatosura dhe zhvatje. Ai u rrëfye se filma të “Hollyëood”-it, si për shembull “Scarface” i Al Pacinos e kishin frymëzuar atë për mënyrën e jetesës dhe disa prej skemave që kishte përdorur gjatë veprimtarisë së tij të paligjshme.

Gjatë sulmit të vitit 1997 ndaj një furgoni sigurie, ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën maska si ato që mbajnë portierët e hokejit në akull, duke imituar kështu “mafiozin” Robert de Niro në filmin “Heat”.

Fama e tij u rrit edhe më shumë nga libri i vitit 2009, që përshkruante ditët e tij të rinisë në rrugët e Parisit dhe përfshirjen e tij në jetën e një krimineli profesionist. Kjo ngjarje bëri që ai të merrte pseudonimin “L’Écrivain” (shkrimtari) kryesisht nga policia franceze.