Kapet me 113 mijë euro në veturë shefi i stërvitjes i Njësisë Speciale të Policisë në Shqipëri

Policia shqiptare ka arrestuar në Tiranë, Shefin e Stërvitjes të Repartit Special Policor, Renea.

Siç ka bërë të ditur Policia e Shqipërisë, 43-vjeçarit i janë gjetur në veturë 130 mijë euro, rreth 290 mijë lekë të reja dhe 80 funte.

Paratë janë sekuestruar, ndërsa A.M. është arrestuar dhe akuzohet për “fshehje të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shpërdorim i detyrës”.

“Mesditën e sotme, falë inteligjencës informative se një shtetas (punonjës policie), qarkullonte me automjet tip “Audi” dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash, menjëherë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”. Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar sëbashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special Renea. Gjatë kontrollit dhe kryerjes së automjetit rezultoi se në ulësen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund”.

“Nga numërimi rezultoi se në qesen e palsmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.000 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës””, thuhet nga Policia e Shqipërisë.