Kapet kosovari dhe gjermani që u prezantuan si policë, përvetësuan 300 mijë euro

Një shtetas kosovar dhe një gjerman po akuzohen se janë paraqitur si policë duke përvetësuar para nga disa të moshuar në Gjermani.

Kosovari 35 vjeç si dhe gjermani 26 do të paraqiten para Gjykatës së Qarkut në Freiburg të martën më 19 tetor.

Sipas “Badenonline”, ata akuzohen  për 12 raste të mashtrimit në përbërje bandash dhe komerciale, dy prej të cilave kanë ngelur në tentative.

Të dy të pandehurit aktualisht janë në paraburgim, derisa bëhet me dije se të njëjtit kanë mashtruar një grua në Offenburg duke i marrë mbi 170 mijë euro.

Kosovari dhe gjermani akuzohen se kanë bashkuar forcat me bashkëpunëtorë të tjerë, të panjohur më parë, dhe kjo ka ndodhur më së voni deri në tetor 2019.

Sipas kësaj medie, ata pkanë kryer mashtrime në mënyrë të organizuar, në rolin e policëve të rremë.

Sipas zyrës së prokurorit, anëtarët e bandës të paidentifikuar më parë kanë kontaktuar burra dhe gra të moshuar me telefon mes fundit të tetorit të vitit 2019 dhe marsit 2020 duke pretenduar se ishin policë.

Palët e dëmtuara janë nxitur, përveç në dy raste, të dorëzojnë shuma të konsiderueshme parash për anëtarët e bandës.

Në akuzë thuhet më tutje se 35-vjeçari ka marrë rolin e mbledhësit të parave nga personat e mashtruar ndërsa 26-vjeçari e ka transportuar atë kryesisht në vendet e krimit.

Sipas prokurorisë, një 68-vjeçar është mashtruar me 10 mijë euro ndërsa një grua një 90-vjeçare “është lehtësuar” nga paratë dhe sendet me vlerë që vlejnë mbi 170 mijë euro.

Dëmi i plotë i serisë së mashtrimit arrin në 300 mijë euro.