Kapet grupi që transportonin emigrantë, bazat e tyre në Kosovë e Shqipëri

Policia e Dibrës ka finalizuar fazën e tretë të operacionit policor “SMUGGLING” kundër kalimit të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE, duke identifikuar bazat e strehimit të emigrantëve në Tiranë dhe në Kosovë .

Janë ekzekutuar 8 masa sigurie “Arrest me burg”, 3 masa sigurie “Detyrim paraqitje”, dhe shpallen në kërkim 4 shtetas të tjerë.

Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ofronin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, shtetasve me origjinë siriane, të cilët ndiqnin itinerarin që fillonte nga Lindja e Mesme në drejtim të Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, me qëllim transportimin e tyre, ku kundrejt pagesave të cilat fillonin nga 6000 euro për person, iu premtonin kalimin nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia me destinacion vendet e BE-së.

Çfarë u sekuestrua

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma të konsiderueshme monetare, automjete të cilat përdoreshin për transportimin e shtetasve të huaj, aparate celularë dhe pasaporta të shtetasve huaj. Janë identifikuar bazat e strehimit të emigrantëve në Tiranë dhe në Kosovë si dhe është bërë i mundur dokumentimi i transfertave të parave në euro të kryera ndërmjet këtyre shtetasve, ku nga analiza e këtyre transaksioneve vihet re se vlerat monetare janë transferuar nga Greqia, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e lindjes, të cilat kapin vlerën e 36.912 Euro.

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe kapjen e atyre të shpallur në kërkim.