Kandiq: Vuçiq dhe Petkoviq po i çmendin serbët e Kosovës kinse me kthimin e ushtrisë

Drejtoresha e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, është deklaruar rreth zhvillimeve të fundit në veri të Republikës së Kosovës.

Në një prononcim dhënë “Danas”, Kandiq ka thënë se lojërat politike duhet të ndalen.

Sipas saj, politika po i çmendë qytetarët, sidomos serbët në atë pjesë të vendit. Tutje, Kandiq ka thënë se duhet të largohet plotësisht nga skena publike, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, që siç thotë ajo, me retorikën helmuese po turpëron çdo qytetar të denjë të Serbisë.

“Mos i çmendni qytetarët, veçanërisht serbët në Kosovë për kthimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë, ndaloni me lojërat e rrezikshme politike – braktisja e institucioneve të Kosovës, ngrirja e mandateve, persekutimi i serbëve të Kosovës që nuk pajtohen me keqpërdorimet e institucionit të deputetëve. Largimi nga skena publike i drejtorit të zyrës për Kosovën, i cili me retorikën e tij helmuese turpëron çdo qytetar të denjë të Serbisë, do të ndihmonte në qetësimin e situatës”, tha ndër tjerash ajo.