Kandidati i PDK’së i bindur se do ta fitojë Podujevën, i sfidon Rudarin e Bulliqin

Kandidati i PDK’së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu ia ka mësyrë i vetëm garës për ta marrë kreun e kësaj komune. Fetahu i tha Gazetës Express se ka aleancë vetëm me qytetarët dhe synojnë të fitojnë në Llap.

Gara elektorale për Podujevën do të shpërfaqë se ku qëndrojnë me vota partitë kryesore edhe në nivel vendi.

Përderisa LDK synon të betonojë bastionin e saj 20 vjeçar me një fitore tjetër , Vetëvendosje po tenton ta fitojë Llapin për të parën herë që nga përfundimi i luftës. Nexhmi Rudarin e Shpejtim Bulliqin do t’i sfidojë edhe Naim Fetahu i PDK’së.

Ai u shpreh i bindur se partia e Kadri Veselit do të shënojë fitore në Podujevë dhe në garë do të hyjnë vetëm.

“Ne jemi në garë të vetëm, dhe synojmë fitoren, nuk e mbështesim asnjërin prej kandidatëve të LDK’së as të VV’së sepse jemi në garë vetëm si PDK. Ne kemi aleancë vetëm me qytetarin, nuk kemi ndier nevojë me bë aleanca me partitë tjera sepse kemi mbështetjen e qytetarëve”,tha Fetahu.

Tutje, kandidati i PDK’së tha se matja se kush është i pari në Podujevë do të bëhet më 29 nëntor.

“Ne nuk kemi bërë matje se ku qëndrojmë, jemi në terren çdo ditë, jemi të organizuar dhe strukturuar mirë dhe kemi një program jashtëzakonisht të mirë dhe synojmë fitore. Matja do të bëhet më 29 nëntor”, u shpreh ai.

Komuna e Podujevës është pa kryetar qëkur Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje pas emërimit ministër i Brendshëm në Qeverinë e ish-kryeministrit Kurti.

Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Shpejtim Bulliqi i VV’së të cilët po konsiderohen favoritë për të marrë drejtimin e Komunës së Podujevës thanë para tre ditësh se do të triumfojnë në garën për të parin e Podujevës.

Presidenti Hashim Thaçi fillimisht kishte shpallur zgjedhjet për kryetar të Podujevës më 15 mars, por të njëjtat ishin anuluar për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë.

I pari i vendit më 20 tetor ka vendosur që zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut të mbahen më 29 nëntor, duke udhëzuar KQZ-në që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet për mbajtjen e tyre.