Kandidati i LDK-së plane për rritjen e hapësirave publike: Prishtina duhet t’i kthehet qytetarit

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama tha se Prishtina ka probleme me menaxhimin, derisa shton se ka ardhur koha që ai të udhëheq me kryeqytetin.

Për Ramën padyshim që është nderë i madh për të garuar si shërbëtor i parë i kryeqytetit, derisa gjatë intervistës tregon edhe momentin që ka marr ftesën për të parin e Prishtinës.

“Është kënaqësi me qenë këtu në Prishtinë dhe me garua si shërbëtor i parë i kryeqytetit , kur kam marrë ftesën ka qenë një nder i madh dhe e kam ndier si obligim për arsye se kryeqyteti ka problematika të shumta të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, mirëpo është edhe nder i madh kur dikush të fton dhe beson se mundesh me bë një ndryshim pozitiv për të mirën e qytetit, për të mirën e banorëve të këtij qyteti dhe për këtë arsye jam ardhur këtu”, tha Rama për EO.

Mes tjerash, ai ka thënë se Prishtina ka potencial për zhvillim të mirëfilltë, e që sipas tij zonat urbane dhe ato rurale duhet të trajtohen ashtu siç duhet, në mënyrë që të krijohen hapësira publike në kryeqytet.

Ai po e konsideron që hapësira publike duhet t’i kthehen qytetarit të Prishtinës, që të ndihet i sigurt në rrugë.

“Prishtina ka një potencial të madh, Prishtina ka potencial për zhvillim të mirëfilltë në çdo aspekt, dhe unë Prishtinën e shoh që zona qendër, zona urbane dhe ato rurale duhet të trajtohen si një organizëm, duhet ta shohim komunën e Prishtinës si një tërësi dhe duhet t’i fuqizojmë fshatrat dhe të krijojmë hapësira publike në qendër të Prishtinës, duhet t’i kthejmë hapësirat publike qytetarit të Prishtinës, që ai të ndihet i sigurt në rrugë edhe prej qenve endacakë, mirëpo edhe prindërit me fëmijët e tyre të ecin shlirshëm nëpër rrugë dhe duhet që hierarkinë e cila për momentin ekziston në qendër të Prishtinës të ndryshojë në të mirë e qytetarit të Prishtinës”, u shpreh ai.

Ai në një intervistë për EO ka shpalosur idenë e tij për kryeqytetin. Rama thekson se me ekipin e tij të gjitha hapësirat publike do të transformohen në të mirën e qytetarëve, që Prishtina të shndërrohet me karakter unik në botë.

“Ka mënyra të ndryshme se si ne mundemi me krijua këtë hierarki ose me bë ndryshimin, për momentin ne e shohim të definuar si qendra e Prishtinës vetëm sheshin ‘Nëna Terezë’. Zona qendrore, rruga ‘Agim Ramadani’ që sillet te Xhamia e Llapit e shkon aty te Tulltorja kthehet mbrapa pas Pallatit të Rinisë, shkon te rrethi për Mitrovicë, pastaj tangjetohet me stacionin e autobusëve edhe vjen te Termokosi e prapë mandej te Ulpiana e vazhdon prapë te rruga ‘Agim Ramadani’, e gjithë kjo pjesë unë me ekipin tim e shohim si qendra e Prishtinës, ku kemi mundësi që ta transformojmë dhe ta bëjmë këtë ndryshim ku qytetari është i pari”, shtoi ai.

“Të gjitha hapësirat publike të transformohen në të mirën e qytetarit, ku prindërit të ndihen të shlirshëm dhe të vrapojnë nëpër këto zona. Edhe të moshuarit tonë të kenë vende ku të ulen e të pushojnë, ku ndodh jeta edhe gjatë kohës së verës e gjithë kjo hapësirë të shndërrohet në një pjesë të festivaleve, të festave të ndryshme, të kemi edhe zona të mira për art e kulturë, dhe ta shndërrojmë Prishtinën me karakter unik në botë”, vazhdoi Rama.

“Prishtina duhet t’i kthehet qytetarit, e t’i kthehet shpirti të cilin e ka ai karakteri unik në botë”, tha ai për EO.