Kandidati i LDK-së për deputet: Vrasjet politike kanë adresë PDK-në dhe SHIK-un

Janë rikthyer akuzat për vrasjet e pasluftës në kohën kur Kosova po hyn në fazën finale të zgjedhjeve parlamentare. Njëri prej kandidatëve të LDK’së për deputet po thotë se Partia e Kadri Veselit është adresa e vrasjeve politike në Kosovë. Adem Salihaj përmend edhe SHIK-un dhe partitë tjera që mund të kenë gisht në vrasjet e pasluftës.

Ish-Zëvendëskryeministri Adem Salihaj s’ka asnjë dilemë se kush është adresa e vrasjeve politike të ndodhura pasluftës në Kosovë.

Për vrasjen e më shumë se 100 zyrtarëve të LDK-së, Salihaj po e bën përgjegjëse Partinë e Kadri Veselit dhe Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK-un).

Këto akuza Salihaj i ka thënë disa ditë pasi ka marrë konfirmimin e Partisë se ndodhet në listën e deputetëve të LDK-së.

“Po të mos mendojmë se i kryer SHIK’u dhe strukturat e PDK’së atëherë duhet të mendojnë se dikush ka ardhur nga një planet tjetër dhe i ka kryer këto vrasje”, ka thënë Salihaj për Express duke dhënë shpjegime tjera.

“Të gjitha gjurmët, të gjitha hetimet që janë bërë edhe nga EULEX-i dhe strukturat e pushtetit në Kosovë çojnë te PDK-ja dhe SHIK-u. Por, jo vetëm te PDK-ja por nuk përjashtohen as partitë tjera sepse këto struktura janë të përbashkëta. Të këtyre tri partive”, ka shtuar ai.

Adem Salihaj përpos pozitës së Zëvendëskryeministrit në Qeverinë LDK-AAK ka mbajtur edhe pozita tjera si deputet dhe Drejtor i stacionit të autobusëve në Ferizaj.

Në zgjedhjet e fundit, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, s’e kishte kandiduar Adem Salihajn për deputet pasi s’ishte pajtuar me qëndrimet e liderit të partisë.

Tash, Salihaj thotë se Mustafa dhe LDK kanë ndryshuar. Sidomos në raport me PDK-në e Kadri Veselit.

“Së pari, në LDK janë bërë ndryshime jashtëzakonisht të mëdha në koncept. Qasja e LDK-së në raport me pritjet e elektoratit të LDK-së kanë ndryshuar dukshëm. Kështu, që tash 100 për qind qëndrimet e LDK-së janë në përputhje me qëndrimet e elektoratit rugovist të LDK-së. Edhe koncepti, edhe njerëzit janë krejt ndryshe dhe me kandidimin e Vjosa Osmanit mendoj se kjo kthesë në konceptin e LDK-së do të shënojë kthesë edhe për fitoren e LDK-së”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se vendimi i LDK-së për ta kandiduar është pasojë e vlerësimit të qëndrimeve të tij në raport me PDK-në. Ka thënë se tash Isa Mustafa ka vendosur të krijojë një unitet brenda Partisë për ta nxjerrë LDK-në të parën.

“Njerëzit gjithmonë e rishikojnë të kaluarën. I Rishikojnë edhe gabimet. Rishikimi ka filluar pikë së pari nga Isa Mustafa. Ka krijuar një unitet maksimal në LDK. Është duke përafëruar konceptet. Ka qenë një unitet i Kryetarit, Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se edhe kundërshtuesit e PDK’së tash janë pjesë e listës së LDK-së.

Adem Salihaj thotë se kur LDK ta marrë pushtetin punën e parë që duhet ta bëjë është t’i çlirojë institucionet prej krimit të organizuar dhe strukturave kriminale.

“Institucionet që kanë brenda PDK-në dhe SHIK-un dhe krimin e organizuar do ta degradojnë shtetin siç e kanë degraduar deri më tash. Dhe, lufta jonë e parë dhe kryesore duhet të bëhet ndaj këtyre strukturave kriminale që janë futur në të gjitha segmentet e shtetit të Kosovës”, ka thënë Salihaj, që është renditur i 50’ti në listën e LDK-së.

loading…


Tweet