Kanadezja ribashkohet me të birin 31 vjet pas rrëmbimit të tij
Një kanadeze u ribashkua me të birin pas 31 vitesh ndarje. Djali ishte rrëmbyer nga i ati, i cili më pas u arratis në SHBA, duke i përdorur një emër tjetër, njoftoi sot policia e Torontos.
Tashmë në moshën 33 vjeç, Jermaine Mann u takua për herë të parë me nënën Lyneth Mann-Lewis, vetëm javën e kaluar, ndërsa policia amerikane arrestoi të atin.
Lyneth Mann-Lewis shpërtheu në lot ndërsa tregonte historinë e saj në një konferencë për shtyp, për dhimbjen që kishte kaluar gjatë tre dekadave të fundit duke kërkuar djalin.
“Kam përjetuar ditë shumë, shumë të vështira. Është vërtet një lumturi e papërshkrueshme që sot e gjej veten këtu për të treguar se trishtimi dhe ankthi im i vazhdueshëm morën fund”, tha ajo.