Kamberi: Shqiptarët kanë siguruar dy mandate në parlamentin e Serbisë

Dje u tha se shqiptarët – në një listë të unifikuar të partive shqiptare në Luginën e Preshevës – kanë fituar katër deputetë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të ishte dhe një moment historik për përfaqësimin shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Por, kryetari i Bujanocit Shaip Kamberi ka thënë se ky rezultat ka ndryshuar dhe deri tani është e sigurt se partitë shqiptare kanë fituar dy deputetë.

“Lajmet e djeshme ishin vetëm rezultate preliminare të përpunuara vetëm nga vendvotimet në Luginë të Preshevës dhe disa qendra në Serbi. Më vonë kur arritën numërimet nga qendrat më të mëdha doli ajo që ishte reale – dy mandate janë aktualisht të siguruara”.

“Nuk e dimë numrin e saktë të votave që mund të marrim nga brendia e Serbisë, sepse bazuar në zgjedhjet e tjera mund të marrim 1500-2000 nga shqiptarët që jetojnë në Serbi dhe nga kjo mund të varet nëse do të fitohet mandati i tretë ose jo”.

“Një problematikë që e kemi pasë gjatë ditës së djeshme se jo të gjitha subjektet i kanë qëndruar besnike marrëveshjes së Tiranës, sepse ka pasë anulim të votave nga subjekte të caktuara çka mund të rrezikojë seriozisht mandatin e tretë”, tha Kamberi për Klan Kosovën.

A mund të cilësohet projekti i bashkimit të pesë partive shqiptare në një listë të unifikuar si i pasuksesshëm?

“Ne kemi synuar tre mandate edhe në fillim kur kemi nënshkruar marrëveshjen në Tiranë. Aktualisht kemi një mandat që e ka fituar vetë Partia për Veprim Demokratik, derisa me bashkimin e subjekteve të tjera synimi ka qenë në tre mandate prej fillimit. Qëllimi jonë është që duke përdorur këtë mekanizëm politiko-juridik ta potencojmë në Kuvendin e Serbisë problematikën që shqiptarët e kanë në Luginën e Preshevës”.

Kamberi ka thënë se presin që Prishtina zyrtare ta vendosë në tavolinën e dialogut – qoftë në Bruksel, Paris ose Washington – çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kosova është model se si e parasheh me Kushtetutë dhe aktet e tjera juridike të drejtat e minoriteteve që jetojnë aty, veçanërisht për minoritetin serb. Ka të drejtë dhe obligim moral që të njëjtën ta kërkojë nga Serbia. Duhet ndërtuar reciprocitet në respektimin e të drejtave tona, sepse Serbia mohon dhe nuk respekton as ato të drejta që aktualisht janë të garantuara me standardet e saj të brendshme”.