Kamberi reagon ashpër pasi Vuçiq tha se nuk e sheh të arsyeshme që të dialogojë me Kurtin

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka lëshuar një reagim të ashpër pas deklarimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk e sheh të arsyeshme të dialogojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kamberi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ia ka përmendur Vuçiqit bllokimin e dialogut me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës.

“… Meqë qenkeni i tillë z.Vuçiq, pse e keni bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës? Ne, të zgjedhurit e Luginës, ju presim me vite në tavolinën e dialogut nga i cili keni ikur z.Vuçiq”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Përfaqësuesi politik i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë ia ka cekur presidentit serb se “dëshiron dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave të tij”

Postimi i plotë i Shaip Kamberit:

Duke folur për dialogun në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paska deklaruar se “Serbia gjithmonë do të marrë pjesë në dialog, kurdo që thirret, por nuk shoh shumë sens për të dialoguar me Kurtin, sepse ai flet vetëm për të shkuarën, dhe jo për të ardhmen”.

Meqë qenkeni i tillë z.Vuçiq, pse e keni bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës?

Ne, të zgjedhurit e Luginës, ju presim me vite në tavolinën e dialogut nga i cili keni ikur z.Vuçiq.

Meqë qenkeni për dialog të tillë, le ta rifillojmë dialogun “mbi të ardhmen në dobi të uljes së tensioneve midis shqiptarëve dhe serbëve”.

Pra, me Luginën dhe për Luginën s’doni fare “dialog e negociata” dhe as “ndikim në uljen e tensioneve midis serbëve dhe shqiptarëve”.

E në anën tjetër dëshironi dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave tuaja.