Kamberi që “dridhi” Serbinë sot ishte tek Ushtria e Kosovës, përcolli mesazhin që i dha Ana Bërnabiqit

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, e ka quajtur të domosdoshme vendosjen e Flamurit Kombëtar brenda sallës së Parlamentit në Beograd.

Sipas tij, kjo simbolik kishte peshë të madhe, mirëpo duket se nuk çoi peshë te Qeveria e Ana Bërnabiqit.

Kamberi, i cili qëndroi sot në Kosovë, me rastin e Ditës së FSK-së, tregoi se ideja e djeshme e kësaj kërkese ishte për ndërtimin e një barazie në nivel rajonal.

Në një intervistë për Indeksonlinen, ai ka deklaruar se Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që me ligj e ndalon përdorimin e simboleve.

“E përmenda se Mali i Zi e ka lejuar me ligj të veçantë përdorimin e simboleve të pakicave, Maq.e Veriut po ashtu, në Kosovë serbët e përdorin lirshëm dhe pa penguar nga askush. Duke shfrytëzuar prezencën e Qeverisë në Parlament, unë kam dashur ta shtroja këtë çështje, jo vetëm me fjalë, por edhe në mënyrë simbolike, sepse nganjëherë simbolika ka peshë më të madhe”.