Kamberi: Në Kuvendin e Serbisë u shfaq retorika e viteve të ’90-ta

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka cilësuar rrëmujë dhe mungesë elementare të sensin për realitetin në Kosovë, atë që ka ndodhur të enjten në seancën e mbajtur në këtë kuvend.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka thënë se është rikthyer sërish retorika e viteve të 90-ta.

“Rrëmujë. Albanofobi. Mungesë elementare e sensit për realitetin në Kosovë. Kështu do të kisha cilësuar seancën e sotme në parlamentin e Serbisë. Retorika e viteve të 90-ta në skenë”, ka shkruar ai.

Opozita në Serbi ka pritur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq me parulla si “E ke dorëzuar Kosovën”, “jo ultimatum, jo kapitullim”, ndërsa ai po fliste për Kosovën në seancë.

Në këto parulla ishte një fotografi edhe e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, që ishte vrarë pesë vjet më parë dhe përcillej me mesazhin “Do të jepni përgjegjësi”.

Vuçiqi iu tha deputetëve të opozitës “se ata kanë lëshuar mijëra terroristë shqiptarë nga burgjet”, në mesin e disa prej reagimeve të tij.