Kamberi – Arifit: A nuk është problem që e votove presidentin e Serbisë, kur shqiptarët e bojkotuan atë?

Pas rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, ku shqiptarët nuk arritën të siguronin asnjë mandat, ka filluar debati në mes të dy udhëheqësve të listave të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi garuan me dy lista, gjë që bëri që këtë radhë të mos arrihet të sigurohet asnjë mandat në parlamentin serb.

Për këtë rezultat, drejtuesi i listës “Alternativa për ndryshim – Alternativa demokratike shqiptare”, Shqiprim Arifi, ka thënë se egoja e kundërkandidatit të tij, Shaip Kamberi, bëri që shqiptarët të mos arrijnë ta kenë asnjë përfaqësues në Kuvendin e Serbisë dhe se sipas tij, Kamberi ka tradhtuar edhe Marrëveshjen e Tiranës.

Në lidhje me këtë, ka reaguar Shaip Kamberi, i cili ishte bartës i listës “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, duke thënë se nuk është problem se përse Arifi nuk i uron fitoren, e as heshtja e tij për debaklin që e pati nga rezultati zgjedhor, por po ashtu sipas Kamberit, Arifi nuk e kishte problem as ta votonte Aleksandar Vuçiqin, pavarësisht se shumica absolute i bojkotuan zgjedhjet presidenciale, shkruan më tutje Demokracia.com.

Kamberi, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, nuk e ka përmendur emrin e Shqiprim Arifit, por e ka lënë të nënkuptohet që fjala është për të.

Postimi i plotë i Kamberit pa ndërhyrje:

Nuk është problem pse bartësi i Listës tjetër nga Lugina nuk uron fitoren bindëse të Listës sonë.

E as që hesht për debaklin e tij zgjedhor duke akuzuar Shqipërinë, Kosovën ose mua.

E fundja as që votoj për President të Serbisë, të cilin e bojkotuan pjesa absolute e shqiptarëve. Çështje e tij.

Por, problem mbetet që nuk e sheh diskriminimin dhe shtypjen shtetërore si shkaktarët kryesorë të gjendjes në Luginë, që u shfaq tash edhe në procesin jodemokratik zgjedhor,  përmes pasivizimit të vendbanimeve dhe shlyerjes së shqiptarëve nga listat votuese.