“Kam bërtit me qëllim që me dëgju krejt” – Kurteshi flet për incidentin në KQZ ku e nxori jashtë një person sepse nuk kishte maskë

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi e ka komentuar incidentin e djeshëm në objektin e KQZ-së, ku ishte i përfshirë.

Kurteshi tha se e ka nxjerrë jashtë një person pa maskë, i cili ishte në korridorin e KQZ-së, ndërkaq tha se nuk ka pasur as sharje e as fyerje, e as ndonjë sulm ndaj tij.

“Rastësisht e kam pa një djalë pa maskë, dhe e kam pyet ku e ka maskën, edhe nuk më ka bë zë. Ai më tha as nuk kam, e as nuk e vendosi? I thashë që duhet me dalë jashtë, e kam marrë edhe e kam qit jashtë. Nuk ka pas as ofendime, as sharje as fyerje, kam bërtit me qëllim, me dëgju krejt, kanë qenë edhe shtatë a tetë veta. Ai ka dal jashtë”, tha ai.

Ndryshe, lidhur me këtë incident, Policia e Kosovës njofton se ngjarja ishte raportuar dje rreth orës 12:20.

Në raport thuhet se viktima është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari pasi nuk kishte vendosur maskë.

“Rr. Migjeni, Prishtinë 25.08.2021 – 12:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën”, thuhet në raport.

Rasti në fjalë po vazhdon të hetohet, ndërsa është njoftuar prokurori.