Kaliforni, i dyshuari gjendet i vdekur në një furgon pasi vrau 10 persona dhe plagosi disa të tjerë

Policia e Kalifornisë ka identifikuar personin e armatosur të dyshuar për vrasjen e 10 personave në një studio vallëzimi pranë Los Anxhelosit si Huu Can Tran, 72 vjeç, i cili më vonë u gjet i vdekur në një furgon të bardhë.

Ai kishte një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri dhe u deklarua i vdekur në vendngjarje.

Festimet për Vitin e Ri Hënor ishin duke u zhvilluar në Monterey Park, i njohur për popullsinë e tij të madhe aziatike.

Policia nuk e di ende motivin.

Siç thuhet më tej, nga të plagosurit, shtatë janë ende në spital, disa në gjendje kritike.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ndërkohë 10 personat që vdiqën ende po identifikoheshin, por ata “duket se janë ndoshta në të 50-at, të 60-at dhe disa ndoshta edhe përtej”.

Më herët, zyrtarët thanë se pesë gra dhe pesë burra ishin vrarë, të gjithë “ndoshta” me origjinë aziatike.