“Kafja nuk është veç për burra” – gazetarja kosovare thotë se policia e shqetësoi për grafitet e vendosura në Deçan

Suada Qorraj, qytetare nga Komuna e Deçanit dhe gazetare në portalin Kultplus ka postuar një reagim në rrjetin e saj Facebook ndaj Policisë së Kosovës.

Në postimin e saj, Qorraj ka thënë se Policia e Kosovës i ka shqetësuar sot familjen e saj për shkak të një postimi të cilin e ka shpërndarë gjatë ditës së djeshme në rrjete sociale.

“Mbrëmë bëra share një aktivitet të një organizatë “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në të cilin tregohej se janë bërë grafite në Komunën e Deçanit. Sot përpos qe u sulmova pa bazë nga individ që fshihen pas portaleve, në shtëpinë time në Deçan familja u vizitua nga Policia e Kosovë”, thuhet në postimin e Qorrajt.

Sipas saj, vizita e Policisë së Kosovës ishte bërë vetëm mbi bazën e shpërndarjes së postimit nga ana e saj, duke aluduar që aktiviteti ishte realizuar nga Qorraj, gjë e cila sipas saj nuk është e vërtetë pasi që ajo deri në momentin e publikimit të fotografive nuk ka qenë në dijeni për një aktivitet të tillë.

“Policia e Kosovës ka marrë mundimin që të shqetësoj familjarët e mi, po të njëjtin nuk kanë marrë mundimin që të verifikojnë faktet. Kjo është shqetësuese sepse është sulm direkt mbi fjalën e lirë”, ka shkruar Qorraj.